Ndërlidhjet

Bosnja nën frikën e sulmeve terroriste

  • RFE /RL

Flamuri i Bosnje Hercegovinës

Flamuri i Bosnje Hercegovinës

Militantët islamik kanë kërcënuar përsëri Bosnje dhe Hercegovinën, këtë herë përmes portalit të ashtuquajtur “Shpata e së vërtetës”, i cili në fillim të javës është bllokuar, për shkak të përmbajtjes së ngjashme.

Ata thonë se Bosnja “nuk është e vetëdijshme se çfarë e pret”.

Tash për tash, nuk është e qartë se kush qëndron prapa kërcënimeve, por ato vijnë paralelisht me publikimin e një DVD-je propaganduese, e cila thuhet se është bërë me regjinë e militantëve të Shtetit Islamik dhe përmban udhëzime dhe kërkesa të ndryshme për myslimanët në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi.

Të gjitha këto vijnë pak muaj pas publikimit të një incizimi, në të cilin luftëtarë nga hapësirat e Ballkanit bëjnë thirrje për vrasje dhe sulme terroriste.

“Nëse mundeni, vendosni eksplozivë nën makina, në shtëpitë e tyre… Hidhni helme në pije, në ushqime”, është thënë në video-mesazh.

Thirrjet e këtij lloji, me ligjet aktuale të Bosnjës, janë të dënueshme dhe, për këtë arsye, në Gjykatën e Bosnjës po gjykohet Husein Bilal Bosniq.

Ai akuzohet për propagandë dhe përhapje të radikalizmit si në Bosnje, ashtu edhe në rajon, si dhe për nxitje publike për t’u bashkuar me organizatat e njohura ndërkombëtarisht si terroriste. Bosniq është arrestuar vitin e kaluar në operacionin e quajtur “Damask”, ndërsa gjykimi i tij ka nisur këtë vit.

Me fjalime ndezëse, ai ka kërkuar mbështetje për grupin militant të Shtetit Islamik dhe pjesëmarrje në fushëbetejat e huaja.

“Nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar për muxhahedinët. Është për keqardhje që ne nuk jemi me ta. Lusim Allahun që të na bëjë shehidë”, ka thënë Bosniq.

Është zbuluar po ashtu se Bosniq ka marrë fonde të konsiderueshme nga vendet arabe, ndërsa Prokuroria e Bosnjës beson se paratë kanë pasur për qëllim financimin e rekrutimit të të rinjve nga Bosnja, për të luftuar në anën e Shtetit Islamik.

Organizata joqeveritare në Sarajevë “Iniciativa Atlantike” ka gjetur se rreth 120 shtetas të Bosnjës marrin pjesë në luftërat në Siri dhe Irak.

Prej tyre, 50 janë kthyer, por edhe ata konsiderohen si kërcënim potencial për sigurinë në Bosnje. Sipas autorit të kësaj analize, Vllado Azinoviq, disa nga luftëtarët e Bosnjës marrin pozita të larta brenda Shtetit Islamik.

“Kemi dëgjuar deklaratat e disa njerëzve që janë kthyer nga fushëbetejat. Nga këto deklarata është e qartë se së paku dy deri në tre njerëz kanë pasur role shumë të rëndësishme – disa në çështjet ushtarake-operative, disa në ato administrative”, thotë Azinoviq.

Masat e sigurisë në Bosnje janë rritur ndjeshëm qysh pas sulmit në një stacion policor, në muajin prill, në Zvornik të Republika Sërpskës.

Një polic është vrarë në këtë sulm, ashtu si edhe sulmuesi i identifikuar si Nerdin Ibriq.

Në atë kohë, ministri i Sigurisë në Bosnje, Dragan Mektiq, ka konfirmuar se ekzistojnë indikacione për sulme të reja.

“Gjëja më e rëndësishme, sipas mendimit tim, është që të pranojmë se kemi problem me terrorizmin. Nëse e pranojmë, jam i bindur se do të gjejmë masat e duhura”, ka thënë Mektiq.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse kërcënimet për terrorizëm të mundshëm ndaj Bosnjës janë të lidhura me angazhimin e këtij vendi për të luftuar terrorizmin.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG