Ndërlidhjet

Miqësia e palëkundshme Kosovë - SHBA


Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, pasi i dorëzoi letrat kredenciale te presidentja e Kosovës Afitete Jahjaga, ka nisur punën e tij zyrtarisht si ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Pas takimit që ka pasur me presidenten Jahjaga, ambasadori Delawie tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë miqësinë me Republikën e Kosovës.

Ambasadori Delawie tha se është kënaqësi për të që në Kosovë do të përfaqësojë presidentin Barack Obama dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jam krenar që po i bashkohem listës së gjatë të zyrtarëve amerikanë, që mund t’ju quaj ju dhe Kosovën mike. SHBA-të kanë qenë mike e palëkundur e Kosovës që prej hapjes së zyrës informative në vitin 1996”, tha ambasadori Delawie.

Ai ka shprehur bindjen e tij se Kosova mund të ecë përpara nëse të gjithë liderët politikë punojnë së bashku.

“Jam i bindur se duke punuar së bashku udhëheqësit politikë, Kosova mund ta çojë përpara sundimin e ligjit ta forcojë sigurinë rajonale, të forcojë dhe bëjë institucione të fuqishme demokratike dhe ta vazhdojë punën e rëndësishme për të ofruar mundësi ekonomike për të gjithë”, tha Delawie.

Kurse, presidentja e Kosovës, Atifete Jahajga, deri sa i ka dëshiruar mirëseardhje ambasadorit Delawie, është shprehur se “Kosova ka kaluar një rrugë të gjatë për tu bërë shtet.

Ajo tha se Kosova sot është një promovuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

“Në rrugëtimin e vet Kosova ka gëzuar besimin e shtetit tuaj dhe mbështetjen e tij të pa kursyer për t’i realizuar idealet dhe vlerat tona të përbashkëta. Kosova mbetet e palëkundur në ketë përkushtim”, tha Jahjaga.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në konferencën e përbashkët me ambasadorin Greg Delawie theksoi se Kosovën për të shkuar tutje në zhvillimin e saj, e presin ende shumë punë.

Ajo tha se Kosova e ka dëshmuar se është shtet që i kupton seriozisht obligimet e veta ndërkombëtare të të qenit partner i rëndësishëm në konfrontimin e sfidave globale që kërcënojnë sigurinë e përgjithshme.

“Përpjekjet tona të përbashkëta, kam besim se do ta mundësojnë ndërtimin e shtetit gjithëpërfshirës dhe shtetit të së drejtës që hap perspektivën për secilin qytetarë pa dallim, dhe që ofron shtetin e Kosovës drejt qëllimit të saj për integrim në BE dhe NATO”, tha Jahjaga.

XS
SM
MD
LG