Ndërlidhjet

Belgjikë: Ushtarët amerikanë e parandaluan tragjedinë e mundshme


Ilustrim
Ilustrim

Dy ushtarë amerikanë ia dolën që ta mbizotërojnë një person të armatosur me pushkë automatike, derisa udhëtonin në një tren të shpejtë nga Amsterdami për në Paris, gjatë ditës së djeshme, ndërsa nga ky incident janë plagosur tre vetë, kanë njoftuar autoritetet franceze.

I dyshuari, një maroken 26 vjeçar, është arrestuar nga polica në qytetin Arras në Francë.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, këtë incident, i cili ka ndodhur derisa treni kalonte nëpër Belgjikë, e ka cilësuar si “sulm terrorist”.

Ministri i brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, tha se prokuroria anti-terror e Francës po zhvillon hetime për këto të shtëna dhe ka shtuar se dy amerikanët e paidentifikuar ishin “veçanërisht të guximshëm dhe treguan trimëri ekstreme në rrethana ekstremisht të vështira”.

“Pa gjakftohtësinë e tyre ne kemi mundur të ballafaqohemi me një dramë të tmerrshme”, tha ministri Cazeneuve.

Në tren ishin më se 500 udhtëtarë.

Njëri nga ushtarët është dërguar në spital me plagë serioze, kanë thënë zyrtarët.

Presidenti amerikan, Barack Obama, e vlerësoi veprimin e ushtarëve amerikanë si “heroik” dhe tha se aksionet e tyre me gjasë e kanë parandaluar “tragjedinë shumë më të keqe”.

XS
SM
MD
LG