Ndërlidhjet

Maqedonia lejon një pjesë të emigrantëve të kalojnë transit


Refugjatët në kufirin Maqedoni - Greqi, 22 gusht 2015
Refugjatët në kufirin Maqedoni - Greqi, 22 gusht 2015

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se ka lejuar të hyjnë në Maqedoni 826 emigrantë, të cilët pasi janë pajisur me vërtetimet përkatëse, me trenin e mëngjesit nga Gjevgjelia janë nisur për në pjesën veriore të Serbisë, që është ndalja e fundit në rrugë për në Hungari dhe vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian.

Dikasteri i Policisë, gjithashtu, nëpërmjet një kumtese me shkrim, thotë se nga 19 gushti deri më 22 gusht ka shpërndarë leje qarkullimi për 42 mijë e 421 emigrantë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Siria.

Por, organizatat joqeveritare, të cilat janë përfshirë në dhënien e ndihmave për refugjatët, thonë se autoritetet maqedonase duhet të përshpejtojnë dinamikën e dhënies së lejeve, me të cilat emigrantëve u mundësohet që Maqedoninë si shtet ta kalojnë transit, duke pasur si synim vendet e BE-së si destinacion të fundit.

Hadis Alija nga organizata joqeveritare “Legis”, thotë se disa mijëra refugjatë presin të hyjnë në Maqedoni, një pjesë e të cilëve tashmë janë të sëmurë nga moti i ftohtë, që mban gjatë natës në këtë rajon.

“Një numër i madh i refugjatëve nga Lindja e Afërt, veçanërisht nga Siria, akoma po pret në zonën neutrale të kufirit Maqedoni-Greqi. Ata natën e kanë kaluar në qiell të hapur dhe duke pasur parasysh se natën e kaluar ka pasur dhe të reshura, pos ushqimit, ata kanë nevojë edhe për rroba”.

“Sipas aktivistëve tanë, në zonën kufitare presin mbi 5 mijë refugjatë për të kaluar kufirin, por informacionet tona flasin se disa mijëra refugjatë të tjerë, të cilët po qëndrojnë në qytetet e Greqisë, presin sinjal se është hapur kufiri që të nisen drejt Maqedonisë”, thotë Alija nga organizata joqeveritare “Legis”, e cila është duke i ndihmuar refugjatët në pikën kufitare të Bogorodicës dhe në qytetin më të afërt me Greqinë, Gjevgjelinë, ku është më i madh numri i emigrantëve.

Ndërkohë, Komiteti i Helsinkit në Maqedoni dënon ashpër sjelljen e autoriteteve maqedonase ndaj emigrantëve nga Lindja e Afërt.

Në stacionin hekurudhor në Gjevgjeli fola me dy emigrantë nga Siria, të cilët dje kanë qenë dëshmitarë të aktit të dhunshëm të policisë maqedonase ndaj emigrantëve. Ata kanë ecur në këmbë shtatë orë për të mbëritur këtu nga kufirin Maqedoni-Greqi dhe më rrëfyen se nga të gjitha vendet, përmes së cilave kanë kaluar, më së keqi kanë pësuar në Maqedoni. Ishin decid se nuk dëshirojnë të mbeten në Maqedoni, por destinacioni i tyre është ndonjë nga vendet e Evropës”.

“Më duhet të ritheksoj se ne, si Komitet i Helsinkit, e gjykojmë sjelljen e dhunshme të policisë, njëkohësisht është e papranueshme shfaqja e çfarëdo sjelljeje të dhunshme nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes ndaj emigrantëve në pjesën kufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë, sepse këta njerëz kanë ikur nga atdheu i tyre për të shpëtuar jetën”, thekson Uranija Pirovska nga Komiteti I Helsinkit në Maqedoni.

Ajo kërkon nga Qeveria përgjigje konkrete se në çfarë baze është marrë vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës në kufirin verior dhe atë jugor, ngase, sipas saj, ekzistojnë dilema për ligjshmërinë e një vendimi të këtillë nga ana e autoriteteve maqedonase.

Ndryshe, të premten policia e Maqedonisë ka përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për t’i penguar emigrantët, që vinin nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut, që synonin kalimin e vijës kufitare Greqi - Maqedoni.

XS
SM
MD
LG