Ndërlidhjet

Arsimimi i komuniteteve pakicë - mungesë kuadro e literature


Ilustrim
Ilustrim

Ligjet për arsim në Kosovë garantojnë arsimim të barabartë për të gjitha komunitetet pakicë në Republikën e Kosovës, që do të thotë të gjithë fëmijët kanë të drejtë për të mësuar në gjuhën e tyre amtare.

Kështu, në nivel vendi, mësimi zhvillohet në katër gjuhë: atë shqipe, serbe, boshnjake dhe turke.

Por, në zonat ku jeton popullata serbe, procesi mësimor vazhdon të realizohet sipas plan programit të Serbisë.

Enesa Kadiq, shefe e Departamentit për arsimin e pakicave në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Kosovë ekzistojnë 28 shkolla fillore dhe 14 shkolla të mesme, ku në të njëjtat objekte shkollore mbahet mësimi në tri gjuhë: shqip, turqisht dhe në gjuhën boshnjake.

”Kjo është për çdo lëvdatë, sepse marrëdhëniet ndërmjet nxënësve, e po ashtu edhe ndërmjet mësimdhënësve, janë në nivel të lartë. Nuk ka asnjë mos marrëveshje, mospajtime, incidente apo diçka të ngjashme“, thekson Kadiq.

Sipas saj, procesi mësimor në gjuhën boshnjake dhe atë turke zhvillohet në të gjitha nivelet, që nga ai parashkollor e deri në universitete.

Kadiq thekson se procesi mësimor është i organizuar kryesisht në komunat ku jetojnë pjesëtarët e këtyre komuniteteve, në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren.

Kemi rreth 6 mijë nxënës boshnjak në procesin mësimor në gjuhën boshnjake dhe rreth 3 mijë e 200 nxënës që vijojnë mësimin në gjuhën turke. Të gjitha tekstet shkollore që botohen në Kosovë, që nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë, u shpërndahen pa pagesë nxënësve të të gjitha bashkësive, përfshirë edhe atë shqiptare”, shpjegon ajo.

Kurse, sa i përket komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptas, ata mësimin e ndjekin në gjuhën, e cila flitet në zonën ku jetojnë, qoftë shqip, serbisht apo edhe në gjuhën boshnjake.

Edhe Qerim Bajrami, deputet nga komuniteti pakicë boshnjak në Kuvendin e Kosovës nga Grupi Parlamentar 6 +, tregon se në Kosovë, kryesisht në rajonet ku jeton ky komunitet, funksionojnë shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën boshnjake, por problem, sipas tij, paraqitet mungesa e teksteve në gjuhën e tyre.

“Ne nuk kemi mjaft tekste shkollore për shkollën fillore, kurse për shkollat e mesme nuk kemi asnjë libër. Po ashtu, në nivelin e lartë kemi vetëm disa degë në Universitetin e Prizrenit, kështu që mundësia për t’u shkolluar është e kufizuar”.

“Duke marrë parasysh që ne nuk mund të udhëtojmë në Bosnjë, për shkak të dokumenteve të udhëtimit dhe mosnjohjes së Republikës së Kosovës, boshnjakët janë shumë të kufizuar për shkollim në gjuhën amtare”, thekson Bajrami.

Pjesëtarët e komuniteteve boshnjake dhe turke, po ashtu kanë mundësi që të studiojnë në gjuhën e tyre amtare edhe në Universitetin Publik të Prizrenit dhe atë të Pejës, kurse në Universitetin e Prishtinës ekziston Dega për Gjuhë dhe Letërsi Turke.

Në Universitetin e Prizrenit, ekzistojnë departamente të veçanta në gjuhën boshnjake edhe turke.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, Sadik Idriz, në Universitetin e Prizrenit” Ukshin Hoti” në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në këtë universitet ekziston Departamenti i edukimit dhe shkencave kompjuterike.

Interesimi i studentëve, thotë ai, është i madh, por ka mungesë të kuadrove profesionale në gjuhën boshnjake.

“Problemi ekziston. Nuk ka staf të mjaftueshëm për gjuhën boshnjake, vijnë disa mësimdhënës nga Bosnja, nga Serbia dhe Mali i Zi. Të njëjtin problem nuk e kanë mësimdhënësit nga Turqia”, thotë Idrizi.

Përveç universiteteve publike, Kolegji Privat AAB në Prishtinë, vitin e kaluar ka hapur Fakultetin Juridik në gjuhën boshnjake dhe pritet që të hapen edhe drejtime tjera.

Naile Demiri, përgjegjëse e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Universitetin AAB, thotë se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar mbi 20 studentë të këtij komuniteti, kurse gjatë këtij viti akademik, interesimi është më i madh.

Përveç profesorëve vendorë në këtë kolegj, janë të angazhuar profesorë nga Mali i Zi, dhe i vitin e ardhshëm do të ketë edhe nga Bosnja e Hercegovina.

Kurse, studentët e komunitetit serb, studiojnë në Universitetin e Mitrovicës. Ky universitet në Kosovë vepron në përputhje me legjislacionin dhe plan-programet e Qeverisë së Beogradit.

Në bazë të regjistrimit të fundit në vitin 2011 në Kosovë jetojnë mbi 27 mijëboshnjakë,rreth 19 mijë pjesëtarë të komunitetit turk, numri i banorëve të komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptian është mbi 35 mijë, kurse numri i saktë i serbëve është i panjohur për shkak se veriu i Kosovës nuk ka marrë pjesë në regjistrim.

Ndërkaq, popullsia e përgjithshme është rreth 1.8 milion banorë.

XS
SM
MD
LG