Ndërlidhjet

logo-print

Mungesa e liberalizimit të vizave po cenon një ndër të drejtat elementare të njeriut, siç është lëvizja e lirë, janë shprehur të rinjtë e Kosovës për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë.

Disa nga ta shprehen optimistë që viti 2016 do ta gjejë Kosovën me liberalizim vizash, derisa të tjerë janë më pesimistë, nisur nga, siç thonë ata, gjendja ekonomiko-sociale dhe korrupsionin në vend.

Kosova është vendi i vetëm i izoluar në Ballkan, ku për të hyrë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian nevojiten vizat.

Mentor Muharremi, që studion për dizajn, shprehet optimist se 2016-a do të jetë një “shpërblim” për sjelljet e mira të qytetarëve të Kosovës, duke i liberalizuar vizat.

“Besoj që viti 2016 do të jetë vit që do të shënojë edhe për popullin e Kosovës një histori të rikthimit në një arenë, të cilën të tjerët e kanë eksploruar para 20 vjetësh,me të drejta të plota dhe kanë treguar edhe sjellje të mira. Mendoj se është një e drejtë meritore e vendit”, thotë Mentori.

Ai shton se edhe pse ka shumë për t’u bërë deri në përmbushjen e standardeve, megjithatë kjo nuk do të duhej ta pengonte liberalizimin.

“Arsyet ekonomike dhe moszhvillimi në fusha të ndryshme në vendin tonë,nuk duhet të jenë arsye të ndërprerjes së kësaj të drejte, pasi që mendoj se këto janë disa elemente dhe me vetë zhvillimin e shtetit, do të marrin edheformën e duhur”.

“Unë dëshiroj që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë në mënyrën më të mirë. Liberalizimi i vizave është përgjegjësi për të gjithë qytetarët e Kosovës,siç është përgjegjësi për të gjithë qytetarët e Evropës. Shpresoj që liberalizimi do të jetë një mundësi dhe kontribut për studentët dhe profesionistët që kanë të krijuara kapacitetet profesionale e që do t’i shkëmbejnë në vende të ndryshme të Evropës, për të krijuar eksperienca sa më të mira të punës dhe ideve inovative dhe të tjera që krijojnë një ngritje dhe zhvillim kulturor, ekonomik dhe social”, shton Mentori.

Ndryshe, ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka deklaruar ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë që në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Shengen.

Ai ka thënë se, kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen pasi është arritur të përmbushen kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna serioze, nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së.

Por, disa nga të anketuarit mendojnë se as në vitin 2016, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian.

Miranda Kastrati, studente në Fakultetin Juridik, konsideron se Kosova nuk i plotëson kriteret për liberalizim vizash, as më 2016-ën.

“Jo nuk mendoj, sepse mendoj që Kosova është me fat që e ka fituar pavarësinë për të qenë shtet, por ne nuk i plotësojmë standardet e Evropës për t’u liberalizuar vizat. Na duhet shumë kohë për të punuar e për ta fituar (liberalizimin), e jo ta marrim dhuratë liberalizimin e vizave”, konsideron Miranda.

Edhe Flora Jahaj shprehet pesimiste sa i përket liberalizimit të vizave në vitin 2016:

“Nuk mendoj që liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin 2016. Ndoshta është premtuar, por duke e marrë parasysh gjendjen në Kosovë, nuk mendoj se do të liberalizohemi. Korrupsion kudo, gjendja e rëndë ekonomike, janë fusha ku duhet punuar shumë”.

Besa Beqiri, e cila ka përfunduar studimet për ekonomi, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, thotë se qytetarëve të Kosovës po u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë në Evropë.

“Ndihem plotësisht e izoluar. Është procedurë e gjatë aplikimi për vizë, si për nga aspekti komunal, po ashtu është edhe shpenzim, gjë që nuk e di se a do të pajisesh me një vizë. Përkundër të gjitha atyre dokumenteve që ti i ofron ambasadës, ata nuk të cilësojnë si qytetare të Evropës”, tregon Besa.

Edhe një tjetër qytetare, Drita Sadiku, që studion në Fakultetin Juridik tregon për përvojat jo të mira për t’u pajisur me vizë. Ajo thotë se asnjëherë nuk ka vizituar vendet e Bashkimit Evropian, pasi që disa herë është refuzuar nga ambasadat ku ajo ka aplikuar.

Liberalizimi i vizave do të ishte shumë i mirëseardhur, shprehet ajo.

“Mundësitë janë shumë të pakta. Pos shkaqeve ekonomike, vizat janë primare. Ndoshta sa i përket të hollave, ndonjëherë do të mund t’i mblidhnim, por që të marrim vizë, është shumë e vështirë. Kam aplikuar për vizë disa herë, por jam refuzuar”, thekson Drita.

E, Ministria për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se presin rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizimin e vizave Shengen për qytetarët e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG