Ndërlidhjet

logo-print

Gjeorgji: NATO-ja të reflektojë për anëtarësim


Tina Khidasheli

Tina Khidasheli

Ministrja e Mbrojtjes e Gjeorgjisë, Tina Khidasheli, ka kërkuar që NATO-ja të ndërmarrë hapa të prekshëm drejt pranimit eventual të vendit të saj në samitin e aleancës në Varshavë, vitin e ardhshëm.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, gjatë qëndrimit të saj në Uashington, këto ditë zonja Khidasheli ka thënë se përpjekjet e aleancës për plotësimin e premtimeve të saj për anëtarësim, rrezikojnë që Rusia të inkurajohet për vazhdimin e politikave agresive.

Në këtë aspekt, ajo ka vlerësuar:

“Duke e vendosur një perde të hekurt në Nenin 5, vendet anëtare i kanë hapur dyert gjerësisht për çdokënd, e jo vetëm për Rusinë, duke dërguar mesazh shumë të gabuar në botë dhe ka shumë vende në këtë botë, Koreja Veriore ose të tjerat, që do të thoshin se këtu është kufizimi i NATO-s dhe aq larg ne mund të shkojmë”.

Të 28 vendet anëtare të NATO-s janë të lidhura për Nenin 5 për ta ndihmuar secilin shtet anëtar nëse sulmohet dhe ai kërkon mbrojtje.

Gjeorgjia dhe vendet e tjera, që shpresojnë të anëtarësohen në NATO, nuk përfshihen në këtë ombrellë të sigurisë, pasi nuk janë anëtare të aleancës.

Gjeorgjisë i ishte premtuar anëtarësim eventual në samitin e NATO-s në Bukuresht, në vitin 2008, por Tbilisi ende nuk ka marrë atë që kishte shpresuar se do të ishte hapi i parë i qartë drejt anëtarësimit – Plani Aksional i Anëtarësimit.

Kjo nuk ka ndodhur as në samitin e NATO-s në vitin 2012 në Çikago, e as në samitin e fundit në Uels, në vitin 2014.

“Një vendim i fuqishëm për zgjerimin e NATO-s, së paku tash duket se është vetëm politika e vendosmërisë për mbrojtje dhe, përsëri, jo vetëm për Rusinë, por për çdokënd, që mund të ketë këtë ide të gabuar duke shikuar në sjelljen ruse, se ata mund të largohen të paprekur nga gjërat si kjo në Ukrainë”, ka thënë Tina Khidasheli.

Gjatë qëndrimit të saj në Uashington, këto ditë, ajo është takuar me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter.

Tbilisi ka thënë se vizita e saj ka për qëllim “forcimin e partneritetit” me Shtetet e Bashkuara dhe për “kërkim të përgjigjeve, këshillave dhe mbështetjes” për rrugën e Gjeorgjisë kah NATO-ja.

Më tutje, ministrja Khidasheli ka theksuar se okupimi i rajoneve të Gjeorgjisë, Osetia Jugore dhe Abkhazia, nga Rusia, paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Këto dy rajone të okupuara përbëjnë 20 për qind të territorit të Gjeorgjisë.

Për situatën në këto rajone, Khidasheli është shprehur:

Ne i kemi rusët që qëndrojnë në distancë prej 20 minutash me makinë nga kryeqyteti. Kjo është shumë serioze. Praktikisht, ata janë në zemër të Gjeorgjisë. Janë 6 mijë trupa ruse që janë kthyer në Gjeorgji. Ata ishin larguar pas Revolucionit të Trëndafiltë, në nëntor të vitit 2013, me mbylljen e bazave ushtarake ruse”.

Tensionet janë shtuar këtë vit, derisa forcat e sigurisë të mbështetura nga Moska në Osetinë Jugore të okupuar, e kanë shtyrë kufirin administrativ, duke shkelur më tutje në territorin e Gjeorgjisë.

“Perceptimi se dikush mund të provokohet ose zemërohet për shkak të aksioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, nuk krijon hapësirë legjitime për mosveprim, kur dikush i pushton territoret në baza ditore, i okupon shtetet e pavarura dhe e ndryshon gjithë rendin ndërkombëtar”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, ministrja e Mbrojtjes e Gjeorgjisë, Tina Khidasheli.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG