Ndërlidhjet

Dijetari sirian që nuk e tradhtoi vendin e tij


Një dijetar i antikiteteve, 83 vjeç, i vrarë nga militantët e Shtetit Islamik (IS) javën e kaluar, është vrarë sepse nuk ka dashur të tradhtojë qytetin, të cilit i ka kushtuar jetën, thonë miq dhe të afërm të tij.

Khalid al-Asaad, i cili është pensionuar një dekadë më parë, është rrëmbyer dhe mbajtur peng nga xhihadistët për rreth një muaj, përpara se të vritej brutalisht në publik, më 18 gusht.

Ata që e kanë njohur Asaadin dhe që kanë folur me të përpara se të rrëmbehej, thonë se militantët e Shtetit Islamik i kanë prerë kokën atij, sepse ka refuzuar të japë informacione për vendndodhjen e thesareve më të vlefshme të Palmirës.

Asaad do të kalonte ditët e tij në Palmira, duke ecur deri atje nga shtëpia e tij në qytetin Tadmur, thotë një banor i Palmirës me emrin Abu Ahmad, i cili e ka njohur Asaadin për së paku 15 vjet.

Abu Ahmad, i cili ka ikur nga Palmira, thotë se për herë të fundit e ka parë Asaadin më 13 qershor.

"Më ka treguar se është thirrur nga militantët e Shtetit Islamik, të cilët e kanë pyetur se ku janë të fshehura objektet më të çmuara. Ai e ka ditur se do ta vrasin, por nuk është larguar nga qyteti”, rrëfen Ahmad.

Emri i Abu Ahmadit, si edhe i sirianëve të tjerë të intervistuar për këtë artikull, është ndryshuar për shkaqe të sigurisë.

Khalil al-Hariri, i afërm i Asaadit, thotë se ai ka refuzuar të largohet nga qyteti, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm për rrezikun që e pret.

Një tjetër banor i Palmirës, Mohammed al-Tadmuri, tregon se militantët e kanë çuar Asaadin në shesh, me një furgon të zi, dhe pastaj kanë përdorur autoparlantët për t’iu bërë thirrje njerëzve që të vijnë dhe të shohin ekzekutimin.

Sipas Tadmurit, mbi 150 njerëz, në mesin e tyre gra dhe fëmijë, kanë shikuar militantët e Shtetit Islamik duke lexuar vendimin e tyre për të “ekzekutuar” Asaadin.

Një militant i maskuar i ka prerë kokën dijetarit të moshuar me shpatë, përpara turmës së njerëzve.

“Trupi i tij është lënë në tokë për më shumë se gjashtë orë… më pas, ata e kanë lidhur atë për një shtyllë”, tregon Tadmuri.

Figurat pro-qeveritare, opozita, aktivistët dhe dijetarët kanë qenë unanimë në dënimin e vrasjes së Asaadit.

Pasardhësi i Asaadit, drejtori aktual i Departamentit të Përgjithshëm të Antikiteteve dhe Muzeve, Maamun Abdul-Karim, ka thënë se Shteti Islamik ka vrarë dijetarin e moshuar me “gjak të ftohtë”.

“Vrasja e Asaadit ka për qëllim vrasjen e qytetërimit, të modernes dhe të gjithë njerëzimit”, ka thënë filozofi sirian, Ahmed Barqawi.

Asaad ka qenë anëtar i partisë në pushtet të Sirisë, Baath, një fakt që thuhet se i ka ndihmuar në karrierën e tij. Por, suksesi që ka shënuar në botën e arkeologjisë është i pamohueshëm.

Siç ka thënë drejtorja e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, militantët e Shtetit Islamik “kanë vrarë një njeri të madh, por ata nuk do ta heshtin kurrë historinë”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG