Ndërlidhjet

logo-print

Aeroplanët amerikanë në Evropë për të siguruar aleatët

  • RFE /RL

F-22

F-22

Shtetet e Bashkuara së shpejti do t’i vendosin aeroplanët luftarakë F-22 në Evropë për t’i mbështetur anëtarët eurolindor të aleancës së NATO-s, të shqetësuar për ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, ka thënë sekretarja e forcës ajrore, Deborah James.

“Për Forcën Ajrore vendosja e aeroplanëve luftarë F-22 është sigurisht anë e fuqishme, prandaj ne e shpallim se së shpejti do t’i vendosim aeroplanët F-22 në Evropë, për t’i mbështetur kërkesat luftarake dhe komanduese dhe si pjesë e Nismës për Risigurimin Evropian”, tha mbrëmë vonë, Deborah James, gjatë një konference për shtyp në Uashington.

Kjo do të jetë vendosja e parë e aeroplëanëve F-22 në Evropë, duke mos i pasur parasysh pjesëmarrrjet në manifestimet e ndryshme ajrore civile.

Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara tashmë i ka përdorë aeroplanët e tipit F-22s, që nuk mund të detektohen nga radarët, për të ndërmarrë sulme kundër caqeve të grupit ekstremist, Shteti Islamik, që ishte misioni i parë real sulmues ajror i këtyre aeroplanëve.

Sekretarja James është shprehur edhe për shkaqet që ndikuan për këtë operacion.

“Aktiviteti ushtarak i Rusisë në Ukrainë vazhdon të jetë shqetësim i madh për ne dhe për aleatët tanë evropianë. Mendoj se sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, është shprehur mjaft mirë javën e kaluar kur tha se qasja jonë ndaj Rusisë duhet të jetë e fuqishme dhe duhet të jetë e balancuar”, tha Deborah James, dhe ka shtuar se “pjesëtarët e forcave ajrore që janë pjesë e kësaj vendosjeje stërvitore inauguruese e aeroplanëve F-22, do të ushtrohen me partnerët tanë dhe aleatët e NATO-s në gjithë Evropën”.

Sipas saj, kjo vendosje është pjesë e “përpjekjes së vazhdueshme për t’i siguruar aleatët dhe për të demonstruar përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës”.

Shefi i Shtatmadhorisë së Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Mark Welsh, këtë vendosje stërvitore, e ka parë si një “evoluim natyral”.

“Vendosje e aeroplanëve F-22 në Evropë është vetëm vazhdim i vendosjes gjithkund ku ne do të mundemi të stërvisim me partnerët tanë. Ne do të bëjmë vendosje trajnuese. Ne do të operojmë me një numër të ndryshëm të forcave ajrore. Aeroplanët F-22 do të vendosen në kapacitetet që ne do t’i përdorim potencialisht në konflikt në Evropë".

"Ata do të stërvisin me disa nga partneerët tanë evropianë. Në radhë të parë, ata janë këtu për ushtrim madhor ushtarak me partnerët tanë evropianë. Pra, ky është një evoluim natyror", tha gjenerali Mark Welsh.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG