Ndërlidhjet

logo-print

Shpenzimet e migrantëve gjatë rrugëtimit Maqedoni - Serbi


Migrantët në Maqedoni

Migrantët në Maqedoni

Migrantët të cilët dëshirojnë të kalojnë transit përmes Maqedonisë nga pika kufitare e Bogorodicës në kufirin jugor me Greqinë, për të arritur në Tabanovoc me Serbinë, nëse vendosin të udhëtojnë me tren duhet të paguajnë 600 denarë përkatësisht 10 euro, që është 3 euro më shumë sesa kushton bileta e rregullt, ndërkohë nëse udhëtojnë me autobusë atëherë bileta kushton 750 denarë.

Jasmin Rexhepi nga organizata joqeveritare LEGIS, thotë se migrantëve asgjë nuk u sigurohet falas në Maqedoni nga autoritetet shtetërore.

“Po nëse me tren qarkullojnë 1 mijë migrantë dhe atyre u faturohet një biletë 10 euro atëherë del se hekurudhat e Maqedonisë fitojnë rreth 10 mijë euro në ditë vetëm nga transporti i migrantëve. Ndërkohë që në këto trena nuk ka as kushte minimale për mbajtjen e higjienës, përkatësisht nuk ka tualete të mjaftueshme, shporta për hedhjen e mbeturinave, për një numër kaq të madh pasagjerësh”.

“Nga ana tjetër, nëse migrantët vendosin ta kalojnë natën në Maqedoni, ata duhet të paguajnë 20 euro përndonjë nga motelet të cilat në Maqedoni janë të kushtueshme, andaj kryesisht migrantët janë të detyruar të flenë në qiell të hapur. Pa pagesë janë vetëm shërbimet shëndetësore, ku sipas ligjeve ndërkombëtare atyre u mundësohet të qëndrojnë pa paguar vetëm në spital”, thekson Rexhepi.

Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar ndihmë financiare nga Brukseli për të menaxhuar krizën e migrantëve në Maqedoni.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ivo Kotevski, javën e kaluar tha se Maqedonia brenda muajit shpenzon rreth 800 mijë euro me angazhimin e një numri plotësues të pjesëtarëve të punëve të brendshme dhe ushtrisë së Maqedonisë përgjatë kufirit jugor me Greqinë.

Bojan Mariqiq nga Qendra për Arsim Evropian, sqaron se paratë të cilat dedikohen për shtet të cilat janë të prekura nga vala e migrantëve, duhet të kërkohen përmes më shumë organizatave humanitare siç është UNHCR dhe shumë organizata të tjera.

“Praktika në Maqedoni ka dëshmuar se është e paaftë të shfrytëzojë ndihmat e huaja, të mos harrojmë se Maqedonia ka arritur të shfrytëzojë vetëm një të tretën e mjeteve të parapara për Maqedoninë si shtet nga fondet e IPA-së”.

“Maqedonia mund të kërkojë që një pjesë e mjeteve të pashfrytëzuara nga fondet e IPA-së të ridestinohen për menaxhimin e krizës së refugjatëve edhe pse një gjë e tillë nuk parashihet përmes procedurave të rregullta kur bëhet fjalë për shfrytëzimin e fondeve IPA”, thekson Bojan Mariqiq.

Marqiq ka shtuar se Serbia ka kërkuar mjete nga Bashkimi Evropian dhe të njëjtat i janë lëshuar pavarësisht se ato janë ose jo të mjaftueshme, ndërkohë që Maqedonia mbetet jashtë shfrytëzimit të këtyre mjeteve sepse mbetet pikëpyetje nëse është bërë kërkesë zyrtare ndaj organizatave kompetente dhe si është bërë ajo.

XS
SM
MD
LG