Ndërlidhjet

Samiti i Vjenës, hap drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor


Samiti i Vjenës paraqet një rikonfirmim të disa prej shteteve më të fuqishme evropiane se Ballkani Perëndimor nuk do të mbetet jashtë Bashkimit Evropian, thonë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Takimi i Vjenës pritet të mbahet më 27 gusht dhe pason Samitin e Berlinit të mbajtur një vit më herët nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Përmes këtyre samiteve, synohet që të realizohen projektet e përbashkëta që lidhin infrastruktura rrugore e hekurudhore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, pastaj projekte të përbashkëta të energjisë dhe çështjeve të interesit të përbashkët.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rëndësia e Samitit të Vjenës është e jashtëzakonshme.

Sipas tij, Vjena paraqet një rast të mirë që vendet e Ballkanit të dalin me projekte konkrete që reflektojnë vlerat evropiane.

Hoti thotë se ky takim mund të shihet edhe si një hap përpara në realizimin e shpresës së vendeve Ballkanike se do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

"Pavarësisht dallimeve dhe vështirësive me të cilat po përballet BE-ja kohë pas kohe, siç është tash edhe kriza në Greqi e vende tjera, mendoj që projekti i BE-së do të përmbyllet atëherë kur edhe Ballkani do të jetë pjesë e këtij organizimi. Pra, Bashkimi Evropian është i paimagjinueshëm në kuptimin gjeografik nëse jashtë kësaj strukture mbetet një territor që gjeografikisht është brenda Evropës", ka thënë Hoti.

Ndërkaq profesori i shkencave politike, Arben Qirezi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Samiti i Vjenës paraqet kapitullin e dytë të takimit të Berlinit, ku vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të shtrojnë çështje të rëndësisë së veçantë që lidhin këto vende.

"Rëndësia më e madhe për disa vende, siç është edhe Kosova, është se ky zgjerim i ri i projektuar i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor duket se është gjithëpërfshirës dhe në këtë aspekt edhe Kosova duhet të luaj një rol të rëndësishëm në kuadër të ndërtimit të këtyre lidhjeve të shumëanshme ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor", ka thënë Qirezi.

Përveç mbështetjes së projekteve që lidhin fillimisht vendet e Ballkanit Perëndimor mes vete dhe më pas këto vende me Bashkimin Evropian, Samitet si ky i Vjenës, sipas profesorit Afrim Hoti, mund të ndihmojnë edhe në zbutjen sado pak të armiqësive që mbizotërojnë në rajon.

"Për secilin projekt kërkohet të paktën përfshirja e dy vendeve apo dy qeverive, që nënkupton se ato paraprakisht duhet të komunikojnë për realizimin e projekteve dhe më pas ato t'i paraqesin para investitorëve të huaj".

"Mendoj që është një rast i mirë që e kaluara, lufta, konfliktet, viktimat e tmerret të lihen me një anë, jo të harrohen, por që të paktën të shihet kah perspektiva evropiane e këtyre vendeve", është shprehur Hoti

Në anën tjetër, profesori Arben Qirezi, mendon se Samiti i Vjenës mund të jetë një rast tjetër drejt paqes së qëndrueshme në Ballkan përmes kultivimit të projekteve integruese, duke ruajtur dhe interesat e shteteve që përfaqësohen.

Një ndihmesë në këtë drejtim, Qirezi e sheh edhe nga procesi i dialogut që Kosova dhe Serbia po zhvillojnë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ku një prej qëllimeve kryesore është thënë të jetë normalizimi i marrëdhënieve reciproke.

"Mendoj se këtij pacifikimi apo orientimi të Ballkanit Perëndimor kah integrimet evropiane dhe lënia pas e armiqësive, i shërben edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po mbahet në Bruksel. Mirëpo kjo nuk do të thotë që këto vende duhet të heqin dorë nga interesat e tyre elementare bazike, të funksionimit të shtetit për hir të integrimit", ka theksuar Qirezi.

Nga projektet që janë përmendur se do të mbështeten, është edhe autostrada që lidhë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, pastaj linjat hekurudhore në Ballkan e deri te mbështetja e projekteve të përbashkëta të energjisë.

Pas Berlinit vitin e kaluar dhe atij të Vjenës që do të mbahet më 27 gusht, pritet që takimi i radhës të mbahet në Francë vitin e ardhshëm.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG