Ndërlidhjet

Trimat rusë, dikur dhe sot


Konstantin Babitsky
Konstantin Babitsky

Më 25 gusht të vitit 1968, tetë qytetarë sovjetikë kanë dalë në Sheshin e Kuq të Moskës dhe kanë shpalosur pankarta duke denoncuar pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë. “Për lirinë tuaj dhe tonën”, lexohej në parullën kryesore që mbanin.

Larisa Bogoraz, Konstantin Babitsky, Tatyana Bayeva, Vadim Delaunay, Vladimir Dremlyuga, Viktor Fainberg, Natalya Gorbanevskaya dhe Pavel Litvinov kanë qenë në mesin e pak njerëzve të popullsisë 250-milionëshe, që kanë qenë të gatshëm të paguajnë çmim të ashpër për kundërshtimin e qeverisë.

“Kemi vendosur të themi: ‘Jo i gjithë populli sovjetik e mbështet këtë. Ne jemi të turpëruar. Nuk e mbështesim Bashkimin Sovjetik në këtë akt të hapur të agresionit’. Kjo ka qenë çështje e nderit, çështje e turpit personal dhe, sot e kësaj dite, unë jam krenar që kam qenë njëri nga njerëzit e parë në vend, që e ka thënë këtë”, shprehet Litvinov, i cili ka kaluar pesë vjet në mërgim në Siberi për deklaratën e tij më 1968.

Ai është lejuar të emigrojë në vitin 1974 dhe përfundimisht është vendosur në Shtetet e Bashkuara.

Ashtu si edhe 47 vjet më parë, shoqëria ruse përballet sot me një situatë, në të cilën shumica dërrmuese mbështet një qeveri, të cilën pakica e konsideron të paarsyeshme.

Dhe, pjesëtarët e kësaj pakice përballen me përbuzje sociale dhe frikën nga qeveria, kur marrin hapin e guximshëm për të kundërshtuar.

Litvinov, tani 75 vjeç, sheh pak njerëz në Rusinë e presidentit Vladimir Putin që mund të konsiderohen trashëgimtarë të disidentëve sovjetikë.

“Shumë më shumë njerëz flasin hapur sot, pavarësisht faktit se shumica e popullsisë miraton qartazi politikat e Putinit. Megjithatë, është një përqindje e caktuar e njerëzve që nuk tremben të kundërshtojnë”, thotë Litvinov.

Mikhas Kukobaka, 78 vjeç, gjithashtu ka folur kundër pushtimit të Çekosllovakisë më 1968. Ai ka shkruar një letër për ta denoncuar atë dhe është arrestuar në prill të vitit 1970. Në total, ai ka kaluar afro 17 vjet në burgjet sovjetike dhe në objektet psikiatrike.

“Nuk kam konsideruar se ajo që kam bërë, ka qenë diçka e veçantë. Madje, nuk e kam imagjinuar se dikush, një ditë, mund të jetë i inetersuar në atë që kam bërë. Unë vetëm kam vepruar sipas mendimit tim. Nuk kam pasur dyshime apo frikë. Unë thjesht jetoj sipas kushtetutës sime të brendshme”, thotë Kukobaka.

Edhe Litvinov, edhe Kukobaka thonë se nuk kanë pasur asnjë ngjarje të veçantë që i ka shndërruar ata nga qytetarë të përkushtuar sovjetikë në disidentë. Udhëtimi i Litvinovit ka nisur kur ai ka filluar të takojë dhe të flasë me njerëz që janë kthyer nga kampet Gulag, pas vdekjes së Josef Stalinit më 1953.

Gjykimi famëkeq i shkrimtarëve Yuli Daniel dhe Andrei Sinyavsky, më 1966, gjithashtu ka luajtur rol të rëndësishëm në transformimin e tij, ashtu si edhe të tjerëve që janë bërë disidentë.

Kukobaka, me profesion elektricist, që mbetet krenar për rrënjët e tij në klasën punëtore, thotë se informacionet që janë bërë të disponueshme në kohën kur lideri sovjetik, Nikita Khrushchev, ka nisur politikat destaniliste, kanë çuar në zgjimin e tij politik.

“Me mua ka ndodhur gradualisht. Informacionet janë akumuluar dhe, sipas ligjit të dialektikës, sasia përfundimisht shndërrohet në cilësi. Kështu ka ndodhur me mua, gradualisht. Nga viti 1967, ose 1966, unë kam qenë armik i përkushtuar i regjimit”, thotë Kukobaka.

Proceset shoqërore tani lëvizin më shpejt, pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë ruse për të kontrolluar të gjitha diskutimet publike.

“Nuk e dimë se sa forcë ka ose sa larg do të shkojë qeveria. Ajo është duke mbyllur të gjitha organizatat e pavarura, si Memorial dhe Sakharov, ku njerëzit mund të shkonin dhe të flisnnin për historinë ruse dhe arritjet e saj kulturore. Qeveria është duke i mbyllur të gjitha këto”, thotë Litvinov.

Përveç kësaj, ai vë në duke se shumë agjentë të mundshëm të ndryshimeve kanë zgjedhur të largohen nga Rusia në vitet e fundit. Ky është një zhvillim “vërtet tragjik”, thotë Litvinov.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG