Ndërlidhjet

Kufizimet e mjekëve për anëtarësim në organizata botërore


Ilustrim

Ilustrim

Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për t'u bërë pjesë e saj, duhet që të aplikohet në këtë organizatë, derisa një gjë e tillë nuk është bërë nga institucionet e vendit.

Ndryshe zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, funksionon që nga viti 1998.

Skender Syla, udhëheqës i kësaj organizate për Kosovën, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Kosova për t'u bërë anëtare e OBSH-së, nuk duhet të plotësohet ndonjë kusht i veçantë, përpos marrjes së votave të nevojshme nga 194 shtetet anëtare.

Por, së fundmi Oda e Stomatologëve të Kosovës, ka aplikuar për tu anëtarësuar në Federatën Botërore të stomatologjisë.

Kujtim Shala, kryetar i Odës së Stomatologëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se anëtarësimi në këtë federatë do t'ju mundësojë të jenë pjesë e ngjarjeve të rëndësishme në shëndetësi.

"Oda e Stomatologëve të Kosovës, ka bërë aplikimin për anëtarësim në Federatën Botërore të Stomatologëve. Kjo Federatë ka pranuar dokumentet dhe kërkesën tonë për anëtarësim. Që të jesh anëtarë duhet që asambleja gjenerale e kësaj federate me 2 të 3-tat e anëtarëve të saj, të votojë pro".

"Këtë vit do të mbahet parlamenti botëror i Kongresit Botëror të Stomatologëve dhe unë shpresoj që anëtarësimi jonë do të pranohet dhe përkrahet dhe në këtë rast stomatologjia kosovare do të futet në rrjedhat botërore, dhe do ta kalojë këtë izolim të më shumë se 25 vjetësh".

Zoti Shala jep edhe hollësi lidhur me Federatën Botërore të Stomatologëve.

"Federata Botërore e Stomatologëve egziston që nga viti 1900 me seli në Zvicër dhe në të janë të anëtarësuar 200 asociacione të ndryshme me mbi 130 shtete të botës, derisa numëron mbi 1 milion anëtarë".

"Federata Dentare Botërore është në raporte zyrtare me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe anëtare e aleancës botërore të profesionistëve shëndetësorë. Qëllimi i kësaj federate është që të jetë një organ i pavarur dhe autoritativ që do t'i promovojë vlerat profesionale shëndetësore në gjithë botën. Ajo llogaritet sot si zëri i stomatologëve botërorë".

Ndryshe, në Kosovë tashmë janë themeluar pesë oda, ajo e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, e Infermierëve si dhe Oda e Fizioterapeutëve.

Deri më tani përpos Odës së stomatologëve, të tjera nuk kanë aplikuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare ku përfshihen profesionistët shëndetësorë.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, anëtarësimin e stomatologëve në Federatën Botërore të Stomatologjisë e sheh si shumë të nevojshme, në mënyrë që profesionistët shëndetësorë nga Kosova të jenë në hap me kolegët e tyre nëpër botë.

"Anëtarësimi i Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare që përfshin profesionistët shëndetësorë, në këtë rast edhe stomatologët, është e dobishme për faktin që mundëson përparimin e mëtutjeshëm të njohurive të profesionistëve shëndetësorë përmes këmbimit të përvojave dhe njëkohësisht organizimit të simpoziumeve, konferencave e trajnimeve të ndryshme e që kosovarët të jenë në një hap me profesionistë shëndetësorë të vendeve tjera".

Sidoqoftë, edhe pse Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zyra e saj në Kosovë ka dhënë një kontribut të çmuar drejt avancimit dhe konsolidimit të sistemit shëndetësor kosovar.

Pavarësisht faktit se nuk është ende anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosovës iu ka dhënë mundësia të marrë pjesë në të gjitha konferencat ndërkombëtare dhe rajonale të kësaj organizate.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG