Ndërlidhjet

Shkup: Çështja e mediave, në tavolinën e bisedimeve


Ilustrim
Ilustrim

Grupet e punës të përbëra nga përfaqësuesit e katër partive politike në Maqedoni, të cilat firmosën marrëveshjen politike me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar për daljen e Maqedonisë nga kriza politike, javën e ardhshme pritet të shqyrtojnë çështjen e reformave në hapësirën mediatike.

Në këtë proces pritet të përfshihen Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, (SHGM), përfaqësuesit e sektorit civil, shoqata sindikale e punonjësve të mediave dhe gazetarë.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, për Radion Evropa e Lirë e ka cilësuar këtë nismë si të mbarë për vendosjen e një baze të shëndoshë për zgjidhjen e çështjes së financimit të mediave si pika më nevralgjike që ka bërë mediat në Maqedoni për të qenë ato të varura nga politika.

“Ne si SHGM do të propozojmë reforma thelbësore të sistemit të mediave në Maqedoni, sepse ndryshe nuk mund të rikuperohet gjendja e mediumeve në vend".

"Do t`i përfshijmë të gjitha sektorët e industrisë së mediumeve në Maqedoni, duke u nisur nga financimi i medias, reformimin e servisit publik, përkatësisht Radio Televizionit të Maqedonisë, Rregullatorin e Mediave si trup i veçantë, si dhe do të kërkojmë reforma në sistemin gjyqësorë, përkatësisht trajnimin e gjykatësve, të cilët trajtojnë rastet të cilat lidhen me punën e mediave gjegjësishtgazetarëve”, thotë zoti Selmani.

Ai thekson se SHGM do të popozojë që të subvencionohen mediat e shtypura, të cilat shfaqen më të goditura nga paraqitja e rrjeteve sociale dhe mediave on-line sipas praktikave të cilat funksionojnë në më shumë vende të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, ish kryetari i Këshillit për Radiodifuzion, Mirçe Adamçevski, konsideron se pjesa më e vështirë e bisedimeve pritet të jetë instalimi i mekanizmave përmes së cilave mediat do të shkarkohen tërësisht nga presioni politik.

“Mendoj se shumë vështirë do të arrihet marrëveshja për media. Nuk jam optimist, sepse ka shumë çështje të cilat janë inkorporuar tanimë në praktikën e funksionimit të mediave dhe shumë vështirë do të mund të heqin dorë ato media të cilat kanë pas përfitime materiale nga arka e shtetit... flas për mediat komerciale".

"Më lehtë do të arrihet ujdi për reformimin e televizionit publik në Maqedoni, por edhe kjo do të varet nga modifikimi i modelit që do të zgjidhet për të reformuar këtë medium", thotë zoti Adamçevski.

Përfaqësuesit e mediave megjithatë thonë se partitë politike tanimë e kanë të qartë se demokratizimi i institucioneve shtetërore, konform standardeve të cilat kërkohen për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, është i pamundur pa funksionimin e mediave të lira dhe të pavarura.

XS
SM
MD
LG