Ndërlidhjet

Gjobë për mjetet që transportojnë mbi 200 litra karburante


Ilustrim

Ilustrim

Disa kompani nga Kosova që transportojnë derivate të naftës nga Shqipëria në Kosovë janë gjobitur nga autoritetet doganore të Shqipërisë, për shkak të, siç thuhet, në rezervoaret e mjeteve transportuese kanë mbajtur më shumë se 200 litra karburante.

Bislim Muça, pronar i kompanisë “Lab- Oil”, kompani kjo që shet produkte të naftës me shumicë, për klientët komercialë dhe industrialë në Kosovë, tregon se para tri ditësh dy shoferë të makinave transportuese të kësaj kompanie janë gjobitur më rreth 800 euro, me arsyen se po zhvillojnë kontrabandë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Muça këtë gjobitje e konsideron të padrejtë, pasi siç thotë ai, mjetet transportuese këtë sasi të karburanteve e mbajnë për nevoja e tyre të udhëtimit, shkuarje dhe ardhje.

“Për kompaninë Lab-Oil , ky vendim është i palogjikshëm, sepse në Shqipëri ne si kompani blejmë miliona litra të derivateve të naftës në muaj, dhe i shesim në Kosovë. Kurse po zhvillojmë kontrabandë më 50 – 100 litra. Kjo është e pakuptueshme”.

“Për aq më tepër kjo e pengon biznesin e ndërsjellë. Për aq më tepër kryeministrat e të dyja shteteve,flasin për unifikim doganor, për heqje të barrierave për lehtësira të bizneseve. Kurse kjo vetëm e rëndon bashkëpunimin dhe na shkakton shumë probleme", thekson Muça.

Për këto gjobitje ka reaguar edhe Shoqata e Naftëtarëve në Kosovë.

Sipas tyre, ky është vendim i Ministrisë se Financave të Republikës se Shqipërisë, lidhur më kufizimin e sasisë së karburantit që gjendet në rezervoaret e makinave transportuese.

Kryetari i kësaj shoqate Fadil Berjani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se bizneset nga Kosova, (shoferët e makinave transportuese) po penalizohen me gjoba të rënda, në qoftë se në rezervoaret e maunave që bartin karburante, mbajnë më shumë se 200 litra karburant.

Ky vendim sipas tij, është në kundërshtim më të gjitha marrëveshjet e Tregtisë së Lirë.

“Duke qenë se rezervoarët e transportueseve të mallrave të ndryshme si maunat e mallrave dhe auto-botët e derivateve, kanë rezervuarë që furnizohen me më shumë se 200 litra, kjo për Doganën Shqiptare përbën kontrabandë. Në kohën kur tregu kosovar ka zënë të konsolidohet mirë me mallrat që importon nga Shqipëria, ky vendim i Ministrit Shkëlqim Cami seriozisht e ka rrezikuar importin e Kosovës nga Shqipëria”, ka thënë Berjani.

Ai ka kërkuar nga Ministri i Financave të Republikës se Shqipërisë, Shkëlqim Cani rishikimin e vendimit te datës 12 maj të këtij viti.

Edhe zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, konfirmuan të premten se kanë pranuar ankesa për këtë çështje, nga dy operatorë ekonomik që merren më transportin e derivateve të naftës.

Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, ka thënë se menjëherë kjo çështje është adresuar tek autoritet e Shqipërisë.

“Zyrtaret brenda Departamentit të Tregtisë e kanë adresuar çështjen tek autoritete shqiptare, gjatë ditës se sotme (e premte) dhe presim përgjigjeje të shpejtë nga autoritet shqiptare”, tha Dibra.

Sidoqoftë, për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar shumë marrëveshje dhe memorandume. Por, jo rrallë herë ka pasur barriera dhe probleme sa i përket shkëmbimeve të ndërsjella tregtare.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG