Ndërlidhjet

Bolden: Nuk është veprim i mençur të paguhet Rusia


Charles Bolden
Charles Bolden

Udhëheqësi i lartë i agjencisë kozmike të Shteteve të Bashkuara, Charles Bolden, i është lutur Kongresit për më tepër para, duke thënë se duke e paguar Rusinë për transportin e astronautëve amerikanë në Stacionin ndërkombëtar të gjithësisë, është investim i gabuar, i cili do të ishte më mirë të shpenzohej në Shtetet e Bashkuara.

Në një editorial të pazakonshëm të publikuar në revistën Wired, zoti Bolden është ankuar për faktin se më herët këtë muaj, Uashingtoni ishte detyruar ta nënshkruaj vazhdimin e kontratës në vlerë prej 490 milionë dollarësh me Rusinë, që të vazhdojë t’i dërgojë astronautët amerikanë në dhe nga stacioni orbital.

Kongresi e kishte zvogëluar fondin për nismën e Shtëpisë së Bardhë për Ekuipazh Komercial, për 1 miliard dollarë prej vitit 2010, ndërsa këto para ishin paguar për agjencinë ruse, Roscosmos.

Kjo është diçka sikur ne të urdhëronim marrje të shtrenjtë të ushqimit, pasi nuk e kemi rregulluar ende kuzhinën tonë dhe vetëm në këtë rast ushqimet na kushtojnë qindra miliona dollarë”, ka shkruar Bolden në artikullin e tij, dhe ka shtuar se “udhëtimi në gjithësi është kompleks, por zgjedhja është e thjeshtë”.

Ai shtron pyetjen se “a investojmë ne në vetvete, në punët tona, në aftësinë tonë, të popullit tonë, ose ne zgjedhim të investojmë për t’i dërguar dollarët tanë të taksave në Rusi”.

“Atë që ne e dimë me siguri, është se çdo dollar që ne e investojmë në Moskë, është dollar që ne nuk e investojmë në biznesin amerikan”, shkruan Bolden.

Prej se është “pensionuar” flota e transportit të Shteteve të Bashkuara, në vitin 2011, NASA është mbështetur fuqishëm në sondat ruse, Soyuz, që janë lansuar nga stepat e Kazakistanit, për t’i dërguar astronautët dhe furnizimet në stacionin e gjithësisë.

Derisa tensionet me Rusinë janë shtuar për shkak të krizës në Ukrainë, disa ligjvënës amerikanë, po ashtu, e kanë kritikuar sasinë e parave, që Uashingtoni e paguan në Rusi.

Njëherësh, NASA e ka eksploruar përdorimin më të madh të kompanive private, që kanë ndërtuar anije të tyre kozmike.

Vitin e kaluar, agjencia e ka nënshkruar marrëveshjen prej 6.8 miliardë dollarësh, me kompanitë SpaceX dhe Boeing, për ta zhvilluar një gjeneratë të re të anijeve kozmike.

Charles Bolden thotë se programi privat amerikan i transportit do të jetë më i lirë në periudhë afatgjate, se sa të paguhet agjencia ruse, Roscosmos.

Udhëtimi për një astronaut të Shteteve të Bashkuara në Stacionin ndërkombëtar të gjithësisë me anijen ruse, Soyuz, aktualisht kushton 81 milionë dollarë.

Derisa kompanitë Boeing dhe SpaceX, t’i testojnë në mënyrë të plotë dhe t’i autorizojnë anijet, atëherë një ulëse për dërgimin e astronautëve amerikanë në hapësirë do të kushtonte 58 milionë dollarë, thotë Charles Bolden.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG