Ndërlidhjet

logo-print

Forumi i Investimeve i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i themeluar ditë më parë në sesionet e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, po konsiderohet si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Sipas përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës, të cilët ishin pjesëmarrës në themelimin e këtij forumi, ky mekanizëm po shihet si një mundësi e mirë e promovimit rajonal, qoftë për investime të huaja, qoftë për zbatimin e projekteve të ndryshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky partneritet do të jetë një formë e avancimit të bashkëpunimit rajonal.

“Është një tentativë e të gjithëve, edhe e kancelares gjermane, Angela Merkel, që të ketë një ndryshim të perceptimit rajonal, të ketë një ndryshim të imazhit të rajonit.Dhe, mbi të gjitha, nëpërmjet këtij ndryshimi, të ketë mundësi të zhvillimit ekonomik, si garanci e stabilitetit social, në veçanti në këtë kohë kur migrimi dhe problematika e emigracionit është mjaft aktuale”.

“Kemi marrë mbështetje nga të gjitha strukturat evropiane dhe besoj se është një dëshmi që edhe Kosova është në rrugëtimin e vet drejt familjes evropiane”, thekson Gërxhaliu.

Forumi i Investimeve të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor është themeluar me përkrahje të fuqishme të Qeverive të vendeve udhëheqëse të procesit të Berlinit dhe të vendeve të rajonit.

Ky Forum ka si synim kryesor që Odat Ekonomike të organizohen dhe të jenë partnere të fuqishme të biznesit dhe institucioneve të rajonit, në rritje të investimeve, punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e konsideron këtë forum si mjaft të rëndësishëm, i cili kontribuon pozitivisht në përmirësimin e imazhit karshi investitorëve të huaj.

“Përmirësimi i raporteve rajonale çon drejt stabilitetit ekonomik, i cili më pas përkthehet në zhvillim ekonomik, që mund të ndodhë. Prandaj, edhe trajtimi i temave që lidhen me situatën ekonomike siç janë: rinia, energjia, infrastruktura, edukimi transporti janë të rëndësishme për arsye se këto reforma janë të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit”, shprehet Balija.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se Kosova duhet të dijë ta shfrytëzojë këtë mekanizëm, për të tërhequr fonde dhe, po ashtu, Kosova, sipas tij, duhet të punojë në projekte zhvillimore të mirëfillta.

“Duhet të kuptohet që emëruesi i përbashkët i përshpejtimit të të gjitha këtyre proceseve dhe shfrytëzimi i këtyre mundësive, është sundimi i rendit dhe ligjit. Besoj që pas gjithë këtyre sfidave, me të cilat është ballafaquar Kosova gjatë vitit 2014 dhe 2015, krahas zhvillimit ekonomik, prioritet duhet të jetë sundimi i rendit dhe ligjit, si garanci për arritjen e këtyre objektivave”, shton Gërxhaliu.

Takimi i radhës i këtij Forumi është paralajmëruar se do të mbahet në Budvë të Malit të Zi, më 21 - 23 tetor 2015.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG