Ndërlidhjet

VOX

Çfarë lajmesh preferojnë të rinjtë në media?


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Të rinjtë në Kosovë lexojnë apo dëgjojnë lajme të fushave të ndryshme, kryesisht në aparatet elektronike, por interesimi i tyre është i fokusuar në lajmet e publikuara, e që u përkasin profesioneve të tyre.

Ata, madje, pohojnë se në një mënyrë kanë braktisur mediat tradicionale, duke e fokusuar më shumë vëmendjen tek interneti.

Duke folur për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa nga ta thonë se nuk shikojnë, dëgjojnë apo lexojnë lajme në televizor, radio apo gazeta, por lexojnë nga interneti, kryesisht në telefonat celular.

Shqipron Maliqi, student në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, tregon se përcjell pothuajse të gjitha lajmet, pasi, siç thotë ai, interneti ka lehtësuar informimin për të gjithë, por me interes lexon për fushën e arkitekturës.

“Më shumë lexoj në internet. Ne studentët përtojmë të blejmë gazetat dhe t’i shfletojmë, por në internet e përcjelli edhe politikën dhe çdo lajm për Kosovën dhe botën e jashtme.Më interesojnë lajmet nga fusha e arkitekturës, projektet që realizohen në vende të ndryshme të botës. Por, të gjitha në internet i përcjell. Pa internet, do të kishim qenë jashtë bote”, thotë Shqiproni.

Leutrim Belaj, 25 vjeç, është profesor i lëndës së matematikës në Shkollën e Mesme në Prishtinë. Leutrimi thotë se lexon lajme, sa i përket politikës, ekonomisë dhe arsimit.

“Politikë, ekonomi dhe arsim dhe për të gjitha informohem në portale të ndryshme në internet. Tashmë ka disa portale, si vendore po ashtu edhe jashtë, që mund të abonohesh dhe qasja është drejtpërdrejt si në gazetë, si në internet”, tregon Leutrimi.

Një i ri tjetër nga Prishtina, tregon se dikur i ka lexuar vazhdimisht lajmet në gazeta. Por, Jeton Hajzeri pohon se tashmë versioni elektronik apo leximi në internet, e ka zëvendësuar versionin e shkuar.

Megjithatë, Jetoni tregon se nuk dëgjon apo lexon shumë lajme. Sidoqoftë,një interesim më të theksuar, ka pasur vetëm rreth lajmeve sa i përket formimit të Gjykatës Speciale.

“Në kohën e fundit i kam përcjellë lajmet vetëm sa i përket formimit të Gjykatës Speciale, kjo më ka interesuar. Përndryshe, lajme të tjera nuk dëgjoj apo lexoj. Më shumë në internet i lexoj lajmet, pasi është më i përdorshëm, televizorin e shikoj pak, më herët kam lexuar gazeta. Lajme për ekonomi nuk lexoj, pasi jetoj vetë në Kosovë dhe e di çfarë ekonomie kemi”, shprehet Jetoni.

Gresa Hyseni, studente në Fakultetin Ekonomik, thotë se përcjell lajmet, por jo shumë shpesh.

“Në rrjetin social, Facebook, shoh se publikohen lajme të ndryshme, por mua më tërheq shou-bizi apo diçka interesante. Në radio apo televizor nuk dëgjoj”, përgjigjet Gresa.

Por, shoqja e Gresës, Albina, tregon se nuk i interesojnë fare lajmet:

“Nuk më interesojnë... dëgjoj apo lexoj shumë pak. Ndoshta, diçka që ka të bëjë me jetën e të rinjve. Përndryshe, i shmangem çdo lajmi”.

Ndryshe, Leutrim Maliqi është nga qyteti i Suharekës, kurse jeton në Milano të Italisë. Ai tregon se i intereson çdo artikull që ka të bëjë për Kosovën, qoftë politik, ekonomik apo social.

“Në çdo lajm që përmendet Kosova, më intereson. Konkretisht, më interesojnë lajmet që plasohen rreth marrëdhënieve të Kosovës me vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës. Këto shumë më interesojnë", thotë Leutrimi.

Berat Jashari, 28 vjeç, punon profesor i lëndës së informatikës, në Shkollën e Mesme Ekonomike në Prishtinë. Berati tregon se më së shumti lexon lajme nga fusha e arsimit dhe sportit.

“Për politikë nuk lexoj, vetëm për sport dhe arsim. Të gjitha lajmet i lexoj në formë elektronike”, thekson Berati.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG