Ndërlidhjet

Furnizimi jostabil me energji elektrike në Kosovë po cenon zhvillimin e bizneseve dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të vendit, thonë përfaqësues të bizneseve.

Njëra nga ndërmarrjet prodhuese që përballet me këtë problem është ndërmarrja “Euro Commerce”, në Mitrovicë, e cila merret me prodhimin e sapunëve të lëngshëm dhe prodhimin e ambalazheve.

Pronari i kësaj kompanie, Muharrem Osmani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar se që nga paslufta, çdoherë herë kanë pasur probleme me energji elektrike.

Sipas tij, ndërprerjet me energji elektrike janë të shpeshta dhe të pa paralajmëruara.

“Gjatë procesit të prodhimit derisa e kemi makinerinë e lëshuar aty na shkaktojnë dëme të mëdha pasi që djegen edhe motorët e makinerisë. Problemi më i madh është te prodhimi i plastikës".

"Ato makina janë shumë të ndjeshme, për arsye se masën e plastikës e zënë brenda nëse kallëpet janë të mbyllura dhe neve me pas na duhet me orë të tëra me brinera t’i shkrijmë ato për ti nxjerrë. Më pas, të gjitha ato goma që janë në makineri ato djegën si pasojë e ndaljes së rrymës”, ka thënë Osmani.

Dëmet në vlerë monetare nga çdo ndërprerje e energjisë elektrike, sipas Osmanit janë minimumi 500 euro.

Makineria për prodhimin e këtyre produkteve, tregon Osmani duhet të lëshohet 5 orë para se të fillojë procesi i prodhimit, dhe në rastet kur energjia elektrike ndalet e gjithë puna rikthehet në pikën zero.

“Ne kemi kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës që së paku të na paralajmërojnë dy minuta më herët se do ta ndalin rrymën dhe në ta ndalim makinerinë që të mos na zënë të mbyllur kallëpet. Por, ata na janë përgjigjur se ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë. Kjo ndodh vetëm në Kosovë se gjithandej në Evropë kanë përgjegjësi kur e ndalin rrymën”, thekson Osmani.

Sektori i energjisë në Kosovë tani e 16 vite të pasluftës nuk është në gjendje të mirë.

Për të dalë nga kjo situatë janë bërë analiza nga më të ndryshmet, si nga institucionet vendore, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme, por që ende nuk është arritur që Kosova të shkarkohet nga mungesa e energjisë elektrike.

Pasiguria me furnizim me energji elektrike edhe sipas disa raporteve të bëra nga organizatat ekonomike që merren me mbrojtjen e interesave të bizneseve, ishte konsideruar si barriera kryesore në të bërit biznes në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka treguar se furnizimi jo stabil dhe jo cilësorë me energji elektrike ka dëmtuar shumë bizneset.

“Është e pakuptimtë që tani e 16 vite të pas luftës të vazhdojmë të kemi probleme me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. E tërë kjo situatë rreth furnizimit me energji elektrike në veçanti situra e fundit me furnizim jo stabil me energji elektrike e konfirmon kërkesën e Odës Amerikane që qeveria të nënshkruajë sa më shpejt kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri ‘Kosova e re’”, ka thënë Zeka.

Çfarëdo lehtësira në të bërit biznesit në Kosovë që sipas Zekës po promovohen nga autoritetet e Kosovës, nuk do të jemi më bindëse para investitorëve nëse nuk do të ketë energji elektrike stabile dhe cilësore.

Zëdhënësi i Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, Guri Shkodra ka treguar se problemet e fundit që kanë qenë me furnizim jo stabil me energji elektrike, kanë ardhur si pasojë e rënies së prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.

“Fatkeqësisht kur ka lëvizje të planeve paraprake, ashtu siç funksionon sektori i energjisë, është shumë vështirë të gjendet energji elektrike, sidomos gjatë verës kur kjo kohë përdoret për remont të të gjitha termocentraleve në rajon, por njëkohësisht edhe nuk është sezon e hidrocentrale, nuk ka të reshura dhe hidrocentralet nuk përdoren për prodhim të energjisë dhe si pasojë ne nuk kemi mundur të gjejmë energji elektrike të gatshme për importim”, ka thënë Shkodra.

Vazhdimisht nga Kosova është kërkuar të investojë në sistemin energjetik.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka premtuar që së shpejti do të përfundojë procesi për zgjedhjen e kompanisë fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky i cili do të sigurojë furnizim me energji elektrike, do të eliminojë reduktimet dhe zvogëlojë importin e energjisë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG