Ndërlidhjet

Serbia përballë valës së migrantëve

  • RFE /RL

Migrantët në një park të Beogradit

Migrantët në një park të Beogradit

Vala e migrantëve, të cilët kanë ikur nga vendet e Lindjes së afërt, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani, që janë të përfshira në konflikte, dhe që ia kanë mësyrë vendeve të Evropës Perëndimore, Serbinë po e shfrytëzojnë për rrugë transiti.

Shumica e tyre arrijnë fillimisht në Greqi, e cila gjatë këtij viti është ballafaquar me valën e migrantëve prej rreth 20 mijë personash.

Pjesa më e madhe e tyre ia mësyjnë për të kaluar kufirin e saj, për të hyrë në Maqedoni, më pas për në Serbi, për të vazhduar rrugën më tej, drejt vendeve të Bashkimit Evropian përmes kufirit të Serbisë me Hungarinë.

Kjo e fundit, tashmë ka ngritur një të ashtuquajtur mur, me tela gjembor, përgjatë pikave të mundshme ku mund të kalojnë migrantët, duke u përpjekur ta bllokojnë hyrjen e tyre në vend.

Në anën tjetër, në Serbi, përderisa një numër i qytetarëve të këtij vendi po bëjnë çmos që t’i ndihmojnë migrantët, organizatat me orientim të djathtë, edhe pse të pakta në numër, janë gjithnjë e më të zëshme se këta migrantë nuk e kanë vendin në Serbi.

Autoritetet serbe, tashmë kanë përçuar mesazhe se nuk do t’i presin refugjatët me mure dhe me shkopinj gome.

Emigrantët ndërmjet mikpritjes dhe refuzimit

Në qendër të Beogradit, të hënën që lamë pas, është mbajtur një tubim solidariteti me migrantët, i organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. Tubimi është mbajtur në parkun afër stacionit të autobusëve në Beograd, ku edhe po qëndrojnë migrantët, të cilët më pas ia mësyjnë vendeve të Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, lëvizjet djathtiste në Serbi, paralajmëruan për të njëjtën ditë protestë kundër migrantëve.

Por, autoritetet serbe reaguan shpejtë duke mos lejuar mbajtjen e një proteste të tillë. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e cila kishte organizuar tubimin.

“Mendojmë se është e mjaft e rëndësishme që Serbia në këtë moment të tregojë se ekziston një anë tjetër e rrëfimit dhe që momentalisht një numër i madh i njerëzve në Beograd, Preshevë, Suboticë, po thërrasin për solidaritet me migrantët, po i ndihmojnë ata dhe po sjellin ndihma humanitare".

"Edhe kryeministri ka shkuar në park, kështu që nuk ka nevojë që tash, nga këta njerëz, të cilët vërtetë kanë nevojë për ndihmë, të krijohen armiq dhe të bëhen thirrje për linçimin e tyre”, ka thënë Anita Mitiq, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Ngjashëm kanë reaguar edhe autoritetet serbe. Ministri i Punëve të brendshme i Serbisë, Nebojsha Stevanoviq, pati theksuar se “policia nuk do të lejojë shpërfaqjen e urrejtjes dhe mos tolerancësndaj njerëzve të cilët , të shtyrë nga kushtet e rënda dhe lufta në vendin e tyre, po kalojnë nëpër Serbi”.

Ndryshe, në kohën kur ka nisur viti i ri shkollor në Serbi, sipas të dhënave të Qendrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e kërkuesve të azilit, deri me 1 gusht, janë evidencuar rreth 15 mijë fëmijë.

Rreth 4 mijë prej tyre, kanë qenë pa përcjellje të prindërve, gjë që i ka bërë më të ekspozuar ndaj rreziqeve që mund të paraqiten në rrugë.

Mismile, një 13 vjeçar nga Kabuli i Afganistanit, thotë se ka ikur nga vendlindja rreth një muaj më parë. Atje i ka lënë prindërit, shtëpinë dhe shkollën e tij, në të cilën i ka ndjekur mësimet deri në vitin e 6.

“Nëna dhe babai im janë në Afganistan. Atje janë të rrezikuar shumë njerëz. Talibanët po luftojnë kundër Hazerejve. Hazerejtë kundër Taxhikëve, Taxhikët kundër Pashajave. Në Afganistan ka shumë luftime dhe nuk mund të shkollohemi atje”, tha Mismile.

Siriani Abdu Rahman është vetëm pak më i rritur se Mismile. Fëmijëria e këtij 16 vjeçari nga Dare është ndërprerë në mënyrë brutale. Ai e tregon shenjën në gju dhe syrin artificial.

“Helikopteri e ka bombarduar shkollën time. Humba syrin. Tash po udhëtoj me familjen: me motrat dhe vëllanë, me babanë Jaserin dhe nënën Nudzhud. Po udhëtojmë tash e 28 ditë”, tha Abdu Rahman.

Në Komunën e Kanjizhës, në veri të Serbisë, për shkak të rritjes së numrit të migrantëve, është hapur Qendra për pranimin e përkohshëm të tyre. Nëpër këtë qendër, që nga mesi i muajit gusht e deri më tash, kanë kaluar më shumë se 25 mijë njerëz, ka bërë të ditur Komisariati për Refugjatë.

Por, përderisa qytetarët po i ndihmojnë migrantët, zyrtarët e komunës kanë sjellë vendimin që nxënësit nuk do të udhëtojnë me të njëjtit autobusë, ku udhëtojnë edhe njerëzit nga Lindja e mesme.

Kjo ka ndodhur pasi që kryetari i komunës së Kanjizhës, Mihajl Bimbo, kohë më parë ka ofenduar publikisht refugjatët, përmes një deklarate, e cila i përshkruan ata si njerëz që “nuk posedojnë elementet bazë të inteligjencës dhe kulturës së përgjithshme”.

Veprimet e kësaj komune janë dënuar ashpër nga Qendra e vlerave qytetare nga Subotica, duke thënë se një gjë e tillë është segregacion racor.

Në anën tjetër, një numër i qytetarëve kanë grumbulluar ndihma për tua shpërndarë migrantëve që gjenden në Qendrën për pranimin e refugjatëve.

Një prej migrantëve sirianë, që nuk është prezantuar, ka thënë se është nisur për në Gjermani.

“Jam nisur tash e dy muaj, pasi që arrita ta bind babin tim që të më jap leje që të nisem. Është rrugë e rrezikshme, por dëshiroj të shkoj në Gjermani, që të studioj ose të punoj, që të kam një jetë më të mirë”, tha i riu sirian.

Ndryshe, ditëve të fundit, në jug të Serbisë, në rajonin në të cilin arrijnë migrantët, në rrugën ballkanike, të cilën e kalojnë nga Maqedonia, në tre ditët e fundit është rritur numri i tyre.

Vetëm në mesnatën ndërmjet të martës dhe të mërkurës, kanë hyrë në Serbi rreth 2 mijë migrantë.

Fillimisht ata hyjnë në fshatin Miratovc, prej ku edhe vazhdon rrugëtimi deri në Qendra e pranimit në Preshevë. Aty u ofrohet ndihma, thotë Ahmet Alimi, sekretar i Kryqit të Kuq për këtë vend.

“Në qendër të pranimit kanë hyrë rreth 1 mijë njerëz dhe para qendrës kanë mbetur edhe 1 mijë të tjerë. Po punojmë që nga mëngjesi i të mërkurës dhe të gjithëve do t’iu sigurojmë ushqim dhe veshmbathje”, ka thënë Alimi. Por, ai ka shtuar se shumë prej migrantëve kanë arritur me lëndime, të cilat i kanë marrë gjatë rrugës ose edhe janë të ftohur.

Autoritetet: Nuk do të bëjmë kundër-mur

Ditën e mërkurë, autoritetet e larta serbe kanë reaguar lidhur me valën e migrantëve, e cila tashmë është në Serbi.

Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm serb, duke aluduar në murin me tela gjembash, të cilin e ka vendosur Hungaria në kufirin me shtetin serb, ka thënë se Serbia nuk do ta ndërtojë një kundër-mur, për të penguar ardhjen e migrantëve.

“Reagimi ynë nuk do të jetë që të bëjmë një kundër-mur, por këtë çështje ne nuk mund ta zgjidhim, nuk jemi ne fuqi botërore. Kërkojmë nga BE-ja që në mënyrë të qartë ta definojë se çfarë është politika e saj”, ka theksuar Daçiq.

Ai e ka quajtur joserioze shumën prej 1. 7 milion euro të cilën BE i ka siguruar për zgjidhjen e problemit të migrantëve në Serbi dhe Maqedoni.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se ekziston ndonjë plan për migrantët në Serbi.

“Përkundrazi, dëshira jonë është që të jemi të përgjegjshëm dhe të sillemi seriozisht. Edhe pse jemi vetëm vend kandidat, ne jemi të gatshëm që të sillemi si shtet anëtar i BE-së. Të provojmë në çdo mënyrë që të tregojmë se jemi të gatshëm të pranojmë pjesën tonë të përgjegjësisë, sikur cilado anëtare e BE-së”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, ai ka pranuar se në praktikë nuk e di se si do të duket e gjithë kjo, deri në një zgjidhje të përgjithshme të çështjes nga BE-ja.

“Refugjatët, siç është parë dje, nuk dëshirojnë të mbesin as në Vjenë, ku janë dorëzuar krejtësisht 6 kërkesa për azil në Austri. Ata kanë një rrugë të planifikuar paraprakisht, deri në Gjermani dhe ne vendet skandinave. Ne nuk jemi në planet e tyre, madje as Austria dhe Çekia, si vende që janë më të zhvilluara”, ka thënë kryeministri serb.

Ai ka theksuar se Serbia është e gatshme të pranojë çfarëdo për të cilën do të bie në ujdi Bashkimi Evropian.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG