Ndërlidhjet

logo-print

Kosova vazhdon të mos ketë ligj për mbrojtjen e fëmijëve


Ilustrim

Ilustrim

Ligji për mbrojtjen e fëmijëve është në proces dhe Qeveria e Kosovës së bashku me akterë të tjerë që merren me të drejtat e fëmijëve, janë duke punuar në këtë drejtim.

Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Qeverisë së Kosovës.

"Fillimisht është bërë një analizë e legjislacionit të këtij ligji, dhe pikat adekuate janë trajtuar për nevojën që do t'i mbrojë të drejtat e fëmijëve. Qeveria duhet të punojë në këtë drejtim dhe zyra ligjore me shumë akterë në Qeveri dhe shoqëri civile e që kanë punuar në këtë ligj ,dhe ky ligj është në fazë përfundimtare të konsultimit, ku trajtohen shumë çështje për mbrojtjen e fëmijëve".

"Ndërkohë, ky ligj definon në mënyrë të qartë mekanizmat që duhet të punojnë për këtë çështje si në nivel qendror po ashtu edhe atë lokal".

Zoti Hajredini shton se për këtë ligj kanë punuar deri në fazat përfundimtare, derisa jep edhe hollësi të tjera.

"Ende ky ligj është në konsultim të hapur për publikun, derisa ka kaluar fazat për punën e përgjithshme, dhe presim që shumë shpejtë ligji të finalizohet dhe të përcjellet në Qeveri".

Naser Lajçi, menaxher i programit për të drejtat e fëmijëve në organizatën ‘’Syri i vizionit’’, ka bërë të ditur se mbrojtja e fëmijëve ka qenë e shpërndarë në shumë ligje të ndryshme, varësisht nga çështja si ajo sociale, për arsim, shëndetësi, derisa shton se miratimi i Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, është i domosdoshëm.

"Sa i përket nevojës për Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, është e domosdoshme pasi që institutcionet përgjegjëse nuk kanë qenë shumë në nivel sa i përket ushtrimit të mandatit të tyre. Andaj, mungesa e ligjit konkret për mbrojtjen e fëmijëve ka ndikuar negativisht në mbrojtjen e fëmijëve dhe ata i janë ekspozuar rreziqeve të ndryshme".

"E mira e këtij ligji është se do të definohen qartë kompetencat e secilit institutcion dhe do të krijohen mekanizma shtesë në mbrojtjen e fëmijëve në nivel lokal dhe qëndror, pasi që pas miratimit të këtij ligji, do të dalin edhe akte nënligjore që do të jenë të harmonizuara me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve".

Zyrtarë nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, thonë se në vazhdimësi kanë përkrahur institutcionet e vendit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Afrim Ibrahimi, zyrtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Zyrën e UNICEF-it në Kosovë, ndërkaq ka shtuar se Kosova ka kornizë të mirë ligjore që ka të bëjë me mbrojtjen e e fëmijëve, por legjislacioni në fuqi është i shpërndarë në rregullimin e sektoreve të ndryshme.

"Në vitin e kaluar e kemi bërë një vlerësim të legjislacionit në fuqi, të Kosovës, që rregullon të drejtat e fëmijëve, konform Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve. Rezultatet e arritura tregojnë se janë dhënë rekomandime të qarta ku janë njoftuar Qeveria e të tjerë që kanë mandate në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve".

"Ne kemi planifikuar edhe mjete financiare për përfundimin e procesit dhe jemi në koordinim të plotë me zyrën ligjore të kryeministrit, dhe ne do të përkrahim në vazhdimësi këtë proces".

Sidoqoftë, sot në Kosovë fëmijët ballafaqohen me shumë vështirësi në fusha të ndryshme.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG