Ndërlidhjet

Serbia “luhatet" ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit

  • RFE /RL

Foto nga arkivi / Beograd

Foto nga arkivi / Beograd

Lidhur me pjesëmarrjen e Serbisë në stërvitjen ushtarake “Vëllazëria sllave” në Rusi, si dhe mos shikimin me sy të mirë nga ana e Bashkimit Evropian, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se në NATO nuk ka pasur zëra kundërshtues ndaj pjesëmarrjes së Serbisë në stërvitjet ushtarake me Rusinë.

Po ashtu, me tone të ashpra, ai ka dërguar porosi edhe për Bashkimin Evropian.

“Një stërvitje ushtarake me Rusinë - kjo numërohet si gabim statistikor. Merrni nga Ministria e Mbrojtjes listën e të gjitha vendeve me të cilat ne kemi stërvitje ushtarake. Do të shihni se stërvitjet ushtarake me Rusinë janë krejtësisht të pakta në krahasim me të gjitha të tjerat. Fundja, ju e dini se ne kemi nënshkruar me NATO-n marrëveshjen IPAP (Plani i Veprimit të Partneritetit Individual), por kjo nuk do të thotë se ne do të jemi anëtare e NATO-s".

"Gjithashtu, me ta jemi marrë vesh për zhvillimin e këtij bashkëpunimi. Në selinë e NATO-s nuk kemi dëgjuar as edhe një fjalë kundër stërvitjeve ushtarake tona me Rusinë. Kush janë këta tjerët që të na mbajne neve ligjërata? Bashkimi Evropian nuk është bllok ushtarak dhe le t’i shikojë punët e saj”, është shprehur Daçiq.

Në anën tjetër, paralelisht me pjesëmarrjen e njësive ushtarake serbe në stërvitjet ushtarake në Rusi, gardistët e ushtrisë së Serbisë, bashkë me kryetarin serb Tomislav Nikoliq, i cili po qëndron për vizitë në Kinë, kanë marrë pjesë në paradën ushtarake në Sheshin Tjenanmen, me rastin e 70 vjetorit të fitores mbi fashizmin.

Nikoliqi ka thënë në Pekin se Serbia mund të jetë mbështetja kryesore e Kinës në Evropë dhe se Serbia po përgatitë projekte për samitin e Kinës dhe 16 vendeve të Evropës qendrore dhe lindore.

Por, pse Serbia nuk po tregon asnjë nguti që politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë ta harmonizojë me Bashkimin Evropian, si dhe a po dërgojnë dy degët e pushtetit ekzekutiv porosi kontradiktore të politikës së jashtme?

Njohësit e zhvillimeve në rajon, vlerësojnë se është e dukshme që agjendat e kryeministrit dhe të kryetarit të Serbisë janë në skajet e kundërta të boshtit Lindje - Perëndim.

Shembulli i fundit, që sipas tyre flet mjaft, është fakti që pas marrëveshjes që kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka arritur në Bruksel me Kosovën, nga kabineti i kryetarit Nikoliq, gjatë gjithë asaj dite nuk ka pasur annjë reagim, pavarësisht që urimet kishin arritur nga të gjitha anët e botës.

Pse është Vuçiqi në Bruksel dhe në Vjenë, përderisa Nikoliq është në Kazakistan osë në Kinë? A po e pengon Nikoliqi agjendën evropiane të Vuçiqit apo është ndarje e punës me marrëveshje?

Eric Gordy, ekspert për Evropën Juglindore në Kolegjin Universitar në Londër, vlerëson se e gjithë kjo është më afër pikëpamjes se fjala është për një marëveshje për ndarjen e punëve ndërmjet Nikoliqit dhe Vuçiqit?

“Kjo do të thotë që Nikoliq është i ngarkuar për simbolikën, ndërkaq Vuçiq për politikën pragmatike. Qeveria e tashme po luan në të dyja anët. Në njërën anë, po mbahet në pushtet duke marrë mbështetjen nga Bashkimi Evropian, e posaçërisht nga Gjermania. Në anën tjetër, sidomos në rast se tash mund të ketë zgjedhje, po mbahet falë mbështetjes së elektoratit, që në fakt është e djathta. Mendoj se e djathta në Serbi ka ‘gëlltitur’ shumëçka".

"Pak a shumë, për shembull, i ka mbyllur sytë ndaj marrëveshjes me Kosovën, por për nivelin simbolik, nuk lëshon pe. Do të thotë, e gjithë kjo - parada në Kinë, ushtrimet ushtarake me Rusinë, etj - paraqet këtë simbolikë”, theksoi Gardy.

Aleksandra Joksimović , drejtoreshë e Qendrës për politikë të jashtme në Beograd, vlerëson se secilin gjest të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e në veçanti Serbisë, që tregon përafrim me Rusinë, Bashkimi Evropian e shikon me mosmiratim.

Gjithashtu, rruga e integrimeve evropiane, të cilën Serbia e ka zgjedhur vet, i imponon asaj obligimin që sa më shpejt ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me Brukselin.

Joksimoviq, po ashtu, hedh vështrimin edhe mbi divergjencat e agjendave të kryeministrit dhe kryetarit të Serbisë.

“Mua më duket se kemi të bëjmë me mbulimin sa më të gjerë strategjik, para së gjithash, të elektoratit, në mënyrë që të tërhiqen sa më shumë vota. Nese flasim për atë se si e shikon krejt këtë Perëndimi, do të thosha se në këtë moment ata më shumë i kushtojnë vëmendje asaj që po bën kryeministri. Bashkë me këtë, edhe popullariteti i tij shkon në favor të mbështetjes që ka politika e tij aktualisht, e cila ka një peshë specifike të madhe".

"Dhe derisa ta masin politikën e kryeministrit Vuçiq si properëndimore, mendoj që do të mungojnë reagimet serioze ndaj bashkëpunimit me Rusinë”, theksoi Joksimoviq.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG