Ndërlidhjet

logo-print

Normat e reja të TVSH-së, prekin shportën e konsumatorit


Ilustrim

Ilustrim

Me pakon e re fiskale, qytetarët e Kosovës të cilët kanë të ardhura më të ulëta do të kenë kosto më të lirë të jetesës, për qytetarët të cilët kanë të ardhura mesatare kostoja e jetesës do të jetë e njëjtë, kurse për qytetarët me të ardhura më të larta do të ketë rritje.

Këto janë disa të dhëna të një analize që ka bërë Instituti për Kontabilitet Auditim dhe Financa në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të pakos së re fiskale më 1 shtator të këtij viti.

Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Kosovë, tani përcakton dy norma të TVSH-së, si: norma standarde e TVSH-së 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Drejtori ekzekutiv i Institutit KAF, Bujar Krasniqi, në një konferencë për media ku ka prezantuar një analizë që i është bërë pakos së re fiskale, ka thënë se kjo pako e re fiskale është e mirë, por që ka hapësirë për ndryshime.

“Në bazë të analizave që kemi bërë mund t’i sigurojmë se për të gjithë qytetarët me të ardhura të ulëta nuk do të ketë ngritje të çmimeve apo kostos së jetesës, përkundrazi për qytetarët me të ardhura të ulëta nëse bizneset nuk e keqpërdorin këtë politikë fiskale, do të kenë kosto më të ulët të jetesës”.

“Për qytetarët të cilët kanë të ardhura mesatare do të kenë kosto të njëjtë të jetesës çfarë e kanë pasur deri më tani, kurse për qytetarët me të ardhura më të larta, ku përdoret më shumë luksi do të ketë rritje, por një rritje solide e kostos së jetesës”, ka theksuar Krasniqi.

Hulumtimi nuk ka përfshirë shumën e pagave të ulëta të mesme apo të larta.

Por, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, konsumi për ekonomi familjare gjatë vitit 2014 ka qenë 7,611 euro, derisa për kokë banori 1,386.

Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare shfrytëzohet për ushqim dhe pijet joalkoolike.

Pagat neto të shumica e punonjësve në Kosovë,sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 300 euro deri 400 euro në muaj.

Pakoja e re fiskale, ndërkohë, sipas përfaqësuesve të Administratës Tatimore të Kosovës, do t’iu mundëson lehtësira të mëdha bizneseve prodhuese në vend.

Nahit Sharku, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, ka kërkuar nga kompanitë që të lexojnë me kujdes pakon fiskale dhe të mos dalin me çmime paushall në treg, por të bazohen në atë që parashihet me pakon fiskale.

Kjo pako e re fiskale, ka shtuar Sharku, do t'j u mundësojë të gjitha bizneseve që ata të dalin në treg me çmime më të lira dhe më konkurruese.

“Mbi 90 për qind e të gjitha kërkesave që janë bërë për 15 vite nga komuniteti i biznesit janë futur brenda kësaj pako fiskale. Ishte kërkesa e vazhdueshme e sektorit të biznesit që të kemi lirime në importimin e linjave të prodhimit dhe makinerisë dhe këtë e kemi në pako, ishte kërkesa që të kemi lirime në importin e lëndës së parë edhe këtë e kemi dhe të sqaruar shumë mirë brenda ligjit”, ka sqaruar Sharku.

Derisa, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adratik Stavileci, si pjesën më të rëndësishme të pakos se re fiskale e ka theksuar lirimin nga TVSH-ja e linjave të prodhimit si dhe ëndës së parë.

“Duke u nisur nga pjesa praktike ne në Doganë kemi parë shumë herë kompani të ndryshme që kanë shprehë dëshirë të investojnë në Kosovë, por në pamundësi të lirimit nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe lëndës së parë i ka shkaktuar shumë probleme dhe rrjedhimisht një produkt i ka dalë më i lartë të prodhohet sesa të importohet”, ka thënë Stavileci.

Buka, vaji, kripa, qumështi, orizi, vezët, shërbimet publike, uji, energjia elektrike, ngrohja dhe mbledhja e mbeturinave janë disa nga produktet që kanë hyrë në listën e normës së ulur të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 16 për qind në 8 për qind.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG