Ndërlidhjet

OEA mirëpret hyrjen në fuqi të legjislacionit të ri tatimor


Ilustrimi
Ilustrimi

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se mirëpret aprovimin dhe hyrjen në fuqi të legjislacionit të ri tatimor “duke pasur parasysh që ligjet e reja përmbajnë disa ndryshime qenësore fiskale të cilat rrjedhimisht do të mundësojnë fuqizimin e sektorit privat dhe pasurimin e ofertës së vendit për investitorët e huaj”.

“Prezantimi i dispozitave të cilat mundësojnë lirimet tatimore për investimet e reja por edhe lirimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të linjave të prodhimit, makinerive, lëndëve të para dhe teknologjisë informative përbën një lehtësim për sektorin privat, rritjen e investimeve të reja të brendshme dhe të jashtme, fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë, përmirësimin e bilancit tregtar dhe një rritje më të madhe ekonomike që do të mundësonte krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane.

Aty shtohet se Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ripërsërit kërkesën e saj për zgjerimin e mëtejmë të listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore dhe riaktivizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, si një organ i rëndësishëm për shqyrtimin e ankesave të komuniteti të biznesit kundër institucioneve përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave.

XS
SM
MD
LG