Ndërlidhjet

Maqedoni: Kthimi i opozitës “gjallëron“ Kuvendin


 Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM-ja, pas një viti e gjysmë kthehet në Kuvend.

Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM-ja, pas një viti e gjysmë kthehet në Kuvend.

Kthimi i opozitës në Kuvend pas bojkotit prej një viti e gjysmë, ka rikthyer debatin e munguar në institucionin ligjvënës, ku brenda kësaj periudhe janë miratuar qindra ligje, për të cilat opinioni aspak nuk është njoftuar.

Nga Lidhja Social-Demokrate, e cila udhëheq koalicionin e partive opozitare, thonë se rikthimi i tyre në Kuvend është bërë në përputhje me marrëveshjen ndërmjet partive për zgjidhjen e krizës politike.

Do ta dëgjojmë zërin e qytetarëve. Rregullisht, do t’i konsultojmë të gjitha palët për ligjet konkrete që do të propozojmë për miratim në Kuvend. Të gjitha mbledhjet e komisionet që drejtohen nga opozita, do të jenë të hapura për opinionin. Në mbledhje do të mund të marrin pjesë të gjitha organizatat joqeveritare, do ta dëgjojmë zërin e tyre”.

“Do të punojmë për vendosjen e infrastrukturës institucionale në Kuvend, për bashkëpunim me sektorin civil. Në Kuvend duhet patjetër të ketë një trup të veçantë, nëpërmjet të cilit qytetarët do të mund të praktikojnë demokracinë, demokracinë sipas vullnetit të tyre“, deklaron Lidija Dimova, në emër të Grupit Parlamentar të deputetëve të opozitës.

Nga LSDM-ja thonë se në ditët në vijim, e gjithë energjia e tyre do të përqendrohet në zbatimin e obligimeve nga marrëveshja politike, e para së gjithash në zgjedhjen e prokurorit të ri, proces ky që duhet të përfundojë deri më 15 shtator.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se rikthimi i opozitës i hap rrugën vendosjes së demokracisë në vend, pasi gjatë periudhës së kaluar Kuvendi ka humbur kuptimin.

Por, ish-deputeti Mersel Bilalli thotë se veprimi i opozitës në një ambient jodemokratik, nuk do të jetë një proces i lehtë.

“Mendoj se ky është një veprim pozitiv që sadopak Kuvendit t’i jepet një ambient pluralist ku do të vijnë në shprehje mendime të ndryshme, ide apo projekte alternative. Por, e gjithë kjo është vështirë të realizohet në një ambient jodemokratik që ka funksionuar si makineri shërbyese e qeverisë. Por, ky është obligim nga marrëveshja politike dhe kështu duhej të ndodhte. E vlerësoj si hap pozitiv“, vlerëson Bilalli.

Sa i përket marrëveshjes politike, Bilalli pret që ajo më së shumti të sabotohet, apo që zbatimi i saj të pengohet nga partitë në pushtet. Kjo, sipas tij, nuk do të thotë që opozita të mos e kryejë pjesën e saj të punës.

Realisht, nuk jam shumë optimist se i gjithë ky angazhim do të jetë produktiv, megjithatë opozita nuk duhet të mbajë hipotekën e prishësit apo rrënuesit të marrëveshjes, edhe pse mendoj se vetë pushteti është segmenti kyç i cili në mënyrë permanente do t’i bëjë obstruksione realizimit të marrëveshjes“, thekson Bilalli.

Zdravko Savevski, njohës i çështjeve politike, thotë se kthimi i opozitës dhe mendimet ndryshe në Kuvend, janë normale për një shoqëri demokratike, por në rastin e Maqedonisë, ai nuk pret që të ketë efekte pozitive.

“Kthimi i opozitës në Kuvend është shans për normalizimin e gjendjes politike në Maqedoni. Kjo nuk do të thotë se edhe kështu do të ndodhë pasi opozita edhe më parë ishte e pranishme në Kuvend, por proceset, jo që shkonin para, por përkundrazi, kishin kthim prapa në shumë sfera të sundimit të së drejtës dhe të demokracisë në përgjithësi”.

“Pra, kthimin e saj në Kuvend e shoh vetëm si edhe një shans dhe asgjë më shumë. Që kthimi i saj të mos jetë vetëm se një fluskulë, konsideroj se duhet të respektohen disa rregulla të pashkruara, para se gjithash të mos ketë majorizim, apo të shqyrtohen seriozisht edhe propozimet që vijnë nga opozita dhe të mos refuzohen vetëm se ashtu kërkon kreu i partisë, siç ndodh aktualisht me gjithçka që propozohet nga ana e opozitës“, thotë Savevski.

XS
SM
MD
LG