Ndërlidhjet

Akuza e kundërakuza për zhvillimin ekonomik dhe Asociacionin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zhvillimi i vendit është me prioritet mbi prioritete, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se viti 2015 është vit i sfidave dhe vendimeve të mëdha, duke përmendur ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, shënjimin e kufirit me Malin e Zi e të tjera.

Kryeministri Mustafa, në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se, në ditët në vijim, do të punojnë në përmbylljen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë mbrojtëse të vendit.

“Janë këto çështje, të cilat konsumojnë shumë energji dhe përqendrim të Qeverisë, krahas fokusimit tonë në drejtimin me prioritetet e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe uljes së varfërisë”, ka shkruar mes tjerash Mustafa.

Kreu i ekzekutivit, po ashtu, ka thënë se gjatë këtij muaji, Qeveria do të procedojë me Ligjin mbi investimet strategjike, i cili do të krijojë hapësirë për marrëveshje të drejtpërdrejta me investitorët.

Ky ligj do të krijojë hapësirë të marrëveshjes së drejtpërdrejtë me investitorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe do të tejkalojë problemet procedurale, të cilat kanë dekurajuar investitorët e jashtëm të vijnë e të investojnë në vendin tonë. Bashkëpunimi me bizneset, odat ekonomike dhe asociacionet e tjera të bizneseve është konkret dhe i përhershëm”, është shprehur Mustafa.

Në anën tjetër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, deri sa ka mbajtur një fjalim politik në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa se me bisedimet me Serbinë po bëjnë “ndarjen e pronësisë dhe buxhetit të Kosovës”.

“Nuk ka zhvillim të Kosovës pa një Trepçë zhvilluar. E kemi parë për 16 vjet se kur nuk punon Trepça, nuk mund të punojë as Kosova. Se si kur mbetet e ndarë Kosova, mbetet e ndarë edhe Trepça. Nuk ka industrializim të vendit, e as energji, e as bujqësi pa Liqenin e Ujmanit. Nuk ka investim pa pasur treg të sigurt”.

“Me ‘Zajednicën’, po i ndajmë resurset, infrastrukturën, energjinë telekomunikacionin, por edhe tregun. Valës me marrëveshje ia zvogëluam tregun ashtu edhe shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike dhe kjo do të vazhdojë duke u thelluar”, ka thënë Ymeri.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka shtuar se me krijimin e “Zajednicës” - ashtu siç i referohet Lëvizja Vetëvendosje Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë - po bëhet ndarja e pronave, e këtë ndarje, siç është shprehur ai, “po e duan më së shumti Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri.

“Këta politikanët e negociatave me Serbinë, konkretisht Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri, janë mohuesit kryesorë të Republikës së Kosovës. Në raport me pronën, raport ky themeltar i shtetësisë, Qeveria e Kosovës ka lëvizur nga fakti, i cili thotë se prona padiskutueshëm është e Republikës së Kosovës”.

Në opinion thotë se ‘mendojmë’ se prona është e jona, mirëpo ky nuk është ‘mendimi’ i vetëm. Kjo është rruga drejt negociatave për pronën dhe kjo me të vërtetë ka qenë rruga gjatë gjithë negociatave”, është shprehur Ymeri, duke shtuar se prejse kanë nisur bisedimet me Serbinë, Republika e Kosovës është kontestuar vazhdimisht.

Ymeri, para anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se “Zajednica”, do të ndalet.

“Ndryshimet thelbësore vijnë nga masa, nga qytetarët e organizuar dhe të vendosur, ashtu siç kjo ‘Zajednicë’ do të ndalet nga po këta qytetarë, të cilët e kanë kuptuar se përfundimisht ua rrënon jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen, ky shkatërrim i Republikës që po vjen nga këta matrapazë që janë vendosur në pushtet”, ka theksuar ai.

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon me aktivitetet e saj, protesta dhe tubime të ndryshme në komunat e Kosovës, për të kundërshtuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe apo, siç e quajnë ata, “Zajednicës”në veri të Kosovës.

Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, sipas marrëveshjes, pritet të mbledh përfaqësues të deleguar nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, për telekomunikimin, për energjetikën dhe për të ashtuquajturin “Park i paqes”, janë arritur më 25 gusht, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG