Ndërlidhjet

Migrantët vazhdojnë udhëtimin nga Austria në Gjermani


Mynih, Gjermani
Mynih, Gjermani

Qindra migrantë kanë vazhduar udhëtimin nga Austria për në Gjermani, pas vendimit të Hungarisë, të premten, për t’i hapur kufijtë.

Disa trena kanë arritur në Mynih të dielën, ndërsa shumë migrantë, prej aty, kanë vazhduar drejt qyteteve të tjera të Gjermanisë.

“Jemi të lumtur në Gjermani. Por, jemi shumë të lodhur, sepse udhëtimi ka qenë shumë i rrezikshëm. Për një muaj, kemi kaluar Turqinë, Greqinë, Serbinë, Hungarinë, Austrinë dhe tani këtu”, ka thënë një migrant për agjencinë Reuters.

Është raportuar se së paku 50 makina private kanë shkuar nga Austria në Hungari për të marrë migrantë.

Gjatë javës, janë parë skena kaotike në Budapest, pasi autoritetet hungareze i kanë penguar migrantët nga udhëtimi.

“Hungaria ka qenë shumë e tmerrshme. Policia atje është shumë e keqe, njëjtë si policia në Siri”, ka thënë një tjetër migrant.

Autoritetet gjermane kanë thënë se presin 800,000 migrantë këtë vit.

Mbi 350,000 njerëz nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë kaluar kufijtë e Bashkimit Evropian vetëm në vitin 2015.

XS
SM
MD
LG