Ndërlidhjet

Merkel: Migrantët do të ndryshojnë Gjermaninë


Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se fluksi i migrantëve në Gjermani “do të zaptojë dhe ndryshojë vendin” në vitet e ardhshme.

Merkel i ka bërë këto komente në një konferencë për gazetarë, pasi rreth 20,000 migrantë besohet se kanë hyrë në Gjermani gjatë fundjavës.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar në këtë situatë të jashtëzakonshme: agjencitë e ndryshme federale, agjencitë shtetërore, shumë vullnetarë, autoritetet komunale, hekurudhat e Gjermanisë, ushtrinë gjermane dhe shumë qytetarë që kanë mirëpritur refugjatët, duke treguar një imazh të Gjermanisë, i cili mund të na bëjë krenarë për vendin tonë”, ka thënë Merkel.

Qeveria e koalicionit e Gjermanisë ka rënë dakord që të lirojë miliarda euro për të ndihmuar shtetet federale dhe bashkitë që të përballen me numrin rekord të migrantëve.

Por, Merkel ka bërë thirrje për “shpëndarje të drejtë” të refugjatëve, duke thënë se “Evropa, bazuar në vlera, duhet të tregojë fytyrën e saj”.

“Duhet të rrisim përpjekjet nga Bashkimi Evropian. Vetëm një solidaritet i përbashkët evropian na mundëson ta zotërojmë këtë sfidë”, ka thënë Merkel.

Ndërkohë në Paris, presidenti i Francës, Franocis Hollande, ka thënë se Komisioni Evropian po përgatitet të zbulojë një propozim për kuotat e detyrueshme për vendet e BE-së, që të strehojnë 120,000 refugjatë.

Ai ka thënë se Franca do të pranojë 24,000.

“Kjo është krizë. E rëndë dhe dramatike. Por, ajo mund të vihet nën kontroll dhe do të vihet”, ka thënë Hollande.

Hungaria, gjatë javës së kaluar, i ka penguar migrantët të udhëtojnë drejt Evropës perëndimore, por të premten i ka hequr kufizimet.

Migrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika udhëtojnë përmes Ballkanit, përkatësisht Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, përpara se të arrijnë në kufirin jugor të Hungarisë, pastaj në Austri dhe Gjermani.

Sirianët përbëjnë grupin më të madh të tyre dhe ndiqen nga afganët dhe eritreasit.

Mënyra e trajtimit të krizës me migrantë ka krijuar përçarje të mëdha brenda Bashkimit Evropian.

Hungaria ka akuzuar Gjermaninë se inkurajon fluksin e migrantëve. Autoritetet hungareze janë duke forcuar kontrollin kufitar dhe kanë paralajmëruar dërgimin e ushtrisë në kufirin jugor, nëse parlamenti e miraton një masë të tillë.

Kyreministri i Hungarisë, Viktor Orban, po ashtu ka thënë se vendi i tij nuk do migrantë myslimanë dhe ka tërhequr vërejtjen se Evropa “mund të humbasë identitetin e saj të krishterë”.

Shefi i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se kriza do të ishte “e kontrollueshme” nëse shtetet anëtare të BE-së do të pajtoheshin për një plan të përbashkët.

Papa Françesku, ndërkohë, i ka bërë thirrje çdo famullie evropiane dhe çdo komuniteti fetar të pranojë nga një familje refugjatësh, në shenjë solidariteti.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG