Ndërlidhjet

Interesat partiake dëmtojnë masat ekonomike


Masat e fundit në fushën e ekonomisë të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit po shihen si një mundësi e mirë drejt zhvillimit ekonomik të vendit, nëse do të zbatohen si të tilla.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismail Kastrati, ka vënë në dyshim zbatimin e masave që i kanë ndërmarrë autoritetet e Kosovës.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të tregojë seriozitet më të madh në zbatimin e masave që i ndërmerr apo ligjeve që janë në fuqi.

“Mendoj se si iniciativa janë të mira, por te ne është një praktikë e keqe se këto iniciativa nuk japin efekte për shkak se nuk jemi konsistent në realizmin e këtyre ligjeve dhe këtyre iniciativave, përnjëherë neve na paraqiten interesa të grupeve të caktuara dhe deformojmë të gjitha iniciativat. Duhet të zhduken interesat monopoliste dhe partiake dhe të funksionojë ligji dhe shteti ligjor”, shprehet Kastrati.

Tre nga masat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, e sipas tyre, kanë për qëllim zhvillimin ekonomik, punësimin dhe uljen e varfërisë janë: pakoja e re fiskale, Ligji për faljen e borxheve dhe Ligji mbi investimet strategjike, i cili së shpejti është thënë se do të procedohet në Qeveri.

Përfaqësues të komunitetit të bizneseve, në anën tjetër, theksojnë se efektet e pakos fiskale për bizneset janë shumë të vogla, derisa për konsumatorin çmimet vetëm sa janë rritur.

Me ndryshimet që janë bërë në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), sipas tyre 90 për qind e produkteve janë shtrenjtuar për 2 për qind, derisa kanë shënuar rënie vetëm 10 për qind e produkteve.

Samir Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për bizneset nuk luan ndonjë rol të madh, pasi që këtë tatim, biznesi vetëm e mbledh dhe e bartë te qeveria.

“Nga aspekti i bizneseve, TVSH-ja nuk ka ndonjë impakt direkt në biznes. Lirimi nga TVSH-ja për mjetet investuese për lëndën e parë nënkupton se bizneset lirohen për një kohë të shkurtër nga TVSH-ja, nuk lirohet komplet, ato nuk e bëjnë parapagimin në fillim të TVSH-së, por në rastin e shitjes së produktit final e paguajnë këtë pjesë”, sqaron Krasniqi.

Me efekt pozitiv për zhvillimin ekonomik të vendit, Krasniqi e thekson Ligjin për Investime Strategjike.

Hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas Krasniqit do të tejkalojë problemet procedurale, të cilat kanë dekurajuar investitorët e jashtëm të vijnë e të investojnë në Kosovë.

“Ne kemi përvojë të mëhershme që për shkak të procedurave, investitorët e mëdhenj të huaj nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin këto procedura dhe janë tërhequr nga interesimi i tyre për të investuar. Unë mendoj që ky ligj është i mirëpritur dhe do t’i lehtësojë qeverisë që të negociojë direkt me kompani të mëdha për investime strategjike. Përveç tjerash, ky ligj duhet të specifikojë strategjitë e shtetit në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi.

Derisa, sa i përket Ligjit për faljen e borxheve, është vlerësuar si një masë e cila është dashur të bëhet, pasi që kanë qenë borxhe që vështirë se do të mund të mblidheshin nga autoritetet kompetente.

Por, përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë nga qeveria që në këtë aspekt të jetë e kujdesshme në mënyrë që të mos destimulojë bizneset të cilat kanë paguar rregullisht obligimet që kanë pasur ndaj shtetit.

XS
SM
MD
LG