Ndërlidhjet

Thirrje për shtensionimin e gjuhës politike


Foto arkivi
Foto arkivi

Liderët e partive politike duhet të zgjedhin komunikimin dhe jo konfrontimin si mjet për zgjidhjen e problemeve politike, ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda.

Këto komente, Deda i ka bërë gjatë takimit të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane.

Deda ka kritikuar si qëndrimin e Qeverisë së Kosovës ashtu edhe veprimet e partisë të cilës i përket, Vetëvendosjes, që pasuan nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicës serbe.

Ndonëse marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe, Deda e cilësoi si një fitore të Serbisë, ai nuk i ka arsyetuar qoftë veprimet e Vetëvendosjes apo qeverisë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

"Nuk është normale që në atë që unë e shoh si triumf të Serbisë, partitë politike shqiptare të bien në nivel në çfarë kanë rënë. Kur qeveria përdorë mekanizma apo policinë, që nuk lejohet në një shtet demokratik dhe që subjekti të cilit i takoj unë (Vetëvendosja) të tentojë që më shumë t'i heq grilat nga qeveria. Kjo nuk është situatë normale", ka theksuar Deda.

Komentet e deputetit Ilir Deda vijnë në ditët kur pikërisht Lëvizja Vetëvendosje, po paralajmëron protesta për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa, duke paralajmëruar edhe masa, siç i quajnë zyrtarët e kësaj lëvizje, radikale.

Pas deklaratave të Ilir Dedës, ka reaguar menjëherë Lëvizja Vetëvendosje duke sqaruar se qëndrimet e deputetit Deda ishin personale dhe nuk përfaqësojnë pozicionin e subjektit që përfaqëson.

Sidoqoftë, deputeti Ilir Deda ka ftuar lidershipin e Kosovës që në vend të konfrontimit të takohen dhe bisedojnë për të gjetur zgjidhje politike për situatën e rënduar në vend.

"Mua më frikëson se politika e partive politike shqiptare do të shkojë drejt konfrontimit, ndërsa në anën tjetër do të kemi konsolidim të Asociacionit të komunave serbe".

"Mendoj që ne duhet që të paktën si anëtar të këtij Komisioni të bëjmë thirrje publike si edhe në subjektet në të cilat jemi që të vijë deri te një takim i liderëve politik dhe të diskutojnë racionalisht se si të dalim nga situata, ku ne të gjithë ndihemi humbës, por publikisht disa dalin se jemi fitues e kjo s'është në rregull", ka thënë Deda.

Tensionimi i situatës politike është paralajmëruar edhe nga opinionistët.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se atmosfera dhe gjuha politike e politikanëve mund të bartet edhe te qytetarët dhe simpatizantët e partive politike.

"E keqja është që kjo mund të ndikojë edhe në tensione te qytetarët dhe të barten pastaj. Shumë nga këto komunikime po shfrytëzohen edhe përmes rrjeteve sociale dhe debatet pastaj që po nxiten aty më shumë i shkojnë shtati urrejtjes së ndërsjellë", ka theksuar Krasniqi.

Të njëjtin mendim e shpreh edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili e sheh një gatishmëri për tensionim të situatës me tepër sesa për qetësimin e saj.

"Gjendja mund të tensionohet. Ne jemi në një situatë ku njerëzit janë të gatshëm që të shprehin reagimin e tyre dhe në vend se të punohet për qetësimin, relaksimin e marrëdhënieve mes partive politike, rrjedhimisht edhe relaksimin e qytetarëve të Kosovës pas ndodhive të fundit, fatkeqësisht është punuar në të kundërtën". ka vlerësuar Mushkolaj.

Opozita kishte paralajmëruar protesta kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkohë që ditët e fundit, protestat po paralajmërohen më shumë për rrëzimin e qeverisë, duke përjashtuar çfarëdo forme të komunikimit politik për tejkalimin e gjendjes.

XS
SM
MD
LG