Ndërlidhjet

logo-print

Analfabetizmi, sfidë për insitucionet


Me disa aktivitete simbolike, në Kosovë është shënuar dita ndërkombëtare e shkrim -leximit.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në një aktivitet të organizuar në qendër të kryeqytetit, kanë thënë se institucionet e Kosovës janë duke punuar për përmirësimin e kushteve dhe ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i shoqëruar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, kanë inkurajuar të rinjtë në Kosovë për lexim dhe mësim.

Ministri Bajrami tha se për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme është e nevojshme, nxitja e kulturës për shkrim dhe leximi.

“Të punojmë në mënyrë interaktive që nxënësit tanë të punojnë në mënyrë praktike që shkolla të jetë në lloj komuniteti, një lloj familjeje. Jemi shumë të kënaqur që me ndihmën e USAID-it dhe programit për edukimin bazik ne po promovojmë nxënës me qasje krejtësisht të reja”, tha Bajrami.

Nga ana tjetër, organizatat joqeveritare në Kosovë, kanë ngritur shqetësime dhe kanë bërë thirrje për një përkushtim më të madh nga autoritetet kompetente, për uljen e nivelit të analfabetizmit në Kosovë.

Në ditën ndërkombëtare të shkrim-leximit, Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, ka thënë se institucionet kompetente të arsimit në Kosovë, duhet t'i shqetësojë fakti se Kosova ka nivelin më të lartë të analfabetizmit.

“Problemi i analfabetizmit në Kosovë është shqetësim i madh, sepse cilësia e sistemit të edukimit dhe arsimit është në atë nivel që ende prodhon numër të madh të analfabetëve funksionalë. Do të thotë, analfabetë të cilët dinë lexim shkrim, por lexim – shkrimin nuk mund ta përdorin për përmirësimin, integrimin e tyre në jetën aktive qytetare”, tha Hyseni.

Halimi deklaroi se çështja e analfabetizmit duhet të bartet te organet, të cilat ndërtojnë politika zhvillimore, pasi që, siç tha ai, Kosova zë vendin e parë në Evropë me nivelin e lartë të analfabetizmit.

“Ministria e Arsimit, unë mendoj se duhet të jetë shumë më e vëmendshme në përcaktimin e standardeve, të cilat do të ndikojnë në avancimin e arsimit dhe të ulet numri i analfabetëve klasik dhe funksionalë. Numri i analfabetëve funksionalë mund të them se është mbi 40%. Kjo paraqet një pengesë jashtëzakonisht të madhe të zhvillimit të shoqërisë kosovare”, tha Hyseni.

Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me analfabetizmin në Kosovë, tha se institucionet arsimore janë duke punuar që kjo dukuri të zvogëlohet.

“Ne jemi duke punuar me plane fillimisht për gjithëpërfshirjen në shkolla që asnjë fëmijë i asnjë komuniteti të mos mbetet pa qasje në shkollë. Por, për ne nuk është me rëndësi vetëm gjithëpërfshirja apo masa. Për ne, me rëndësi është cilësia, dhe gjërat që ne sot po promovojmë tregojnë se si ngritet cilësia në shkollë”, u shpreh Bajrami.

Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë tregojnë se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim.

Mosha e personave analfabetë të plotë dhe analfabetë funksionalëë, nuk është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, por në këto të dhëna hyn popullata e moshës mbi 10-vjeçare.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG