Ndërlidhjet

KE shpall “planin e detyrueshëm” për migrantët


Jean-Claude Juncker
Jean-Claude Juncker

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka shpallur një plan emergjent për trajtimin e fluksit të migrantëve dhe azilkërkuesve në Evropë.

Mbi 160,000 refugjatë nga Lindja e Memse, Azia dhe Afrika, ndodhen aktualisht në Greqi, Hungari dhe Itali.

Duke folur në Parlamentin Evropian, Juncker ka thënë se plani përfshin kuota të detyrueshme për numrin e refugjatëve që çdo vend i BE-së duhet t’i pranojë.

“U bëj thirrje shteteve anëtare që të miratojnë propozimet e Komisionit (Evropian) për strehimin e 160,000 refugjatëve në Këshillin e Ministrave të Brendshëm, më 14 shtator. Nuk po flasim për 40,000 (refugjatë), nuk po flasim për 120,000. Bëhet fjalë për 160,000. Ky është numri që evropianët duhet të trajtojnë”, ka thënë Juncker.

“Nuk do të neutralizojmë Konventën e Gjenevës. Azili është një e drejtë”, ka shtuar ai.

Gjermania, destinacioni kryesor për shumë migrantë, i mbështet kuotat. Por, disa vende të Bashkimit Evropian, si Hungaria, e cila është rrugë kryesore tranziti, kundërshton sistemin e detyrueshëm.

Pas fjalimit të Junckerit, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, ka përsëritur se vendi i tij refuzon propozimet për ndarjen e migrantëve, bazuar në kuota.

Ai po ashtu ka thënë se Sllovakia nuk pëlqen që t’i jepet shumë pushtet Komisionit Evropian në trajtimin e krizës me refugjatë.

Kryeministri i Republikës Çeke, Bohuslav Sobotka, ka thënë se edhe Praga i kundërshton kuotat e detyrueshme.

Në anën tjetër, Juncker ka thënë po ashtu se Komisioni Evropian do të propozojë një politikë të migrimit legal në fillim të vitit 2016, që do t’i hapë kanalet ligjore për migrantët.

Ai ka thënë se kjo politikë do të dekurajojë kontrabanduesit e njerëzve dhe do të zvogëlojë numrin e tragjedive.

Juncker ka thënë se azilkërkuesve gjithashtu duhet t’iu jepet e drejta për të punuar dhe për të fituar para në vendet mikpritëse, derisa kërkesat e tyre për azil janë në shqyrtim e sipër.

Ai është zotuar se sistemi pa kufij i Bashkimit Evropian, i njohur si Schengen, “nuk do të braktiset” nën mandatin e tanishëm të Komisionit Evropian.

Por, ai ka kërkuar që vendet anëtare të BE-së të punojnë më afër me njëra-tjetrën, në mënyrë që të menaxhojnë kufijtë e tyre të brendshëm.

Fluksi aktual i migrantëve në Evropë është më i madhi qysh në Luftën e Dytë Botërore.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG