Ndërlidhjet

A kthehen me ligj investimet strategjike?


Ilustrim
Ilustrim

Në përpjekje për tërheqjen ose inkurajimin e investitorëve ndërkombëtarë, që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë, Qeveria e Kosovës ka filluar edhe më hartimin e projektligjit mbi Investimet Strategjike.

Sipas autoriteteve kompetente, ky ligj do të përcaktojë fushat, prioritetet dhe projektet strategjike dhe njëherësh do të eliminojë procedurat e gjata administrative dhe burokratike me të cilat janë përballur investitorët eventual.

Sokol Havolli, këshilltar politik për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se projektligji mbi investimet strategjike parasheh mbështetje, lehtësim, kushte favorizuese dhe përshpejtuese në funksion të arritjes së qëllimit kryesor, tërheqjen e investimeve të huaja.

“Ky projektligj është rezultat i vështirësive të shumta që Republika e Kosovës ka pasur deri më tani, për të tërhequr investitorë strategjik dhe këto vështirësi kanë ardhur deri në një masë edhe si rezultat i kushteve apo procedurave relativisht më të pafavorshme me vendet fqinje".

"Duke marrë parasysh se shumica e vendeve fqinje kanë ligje të ndryshme që i lehtësojnë këto procedura, është parë tejet e nevojshme që edhe ne të jemi në konkurrencë të drejtë me këto vende dhe të krijojmë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja”, ka thënë Havolli.

Edhe ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se nëse me projektligjin në fjalë eliminohen procedurat e gjata administrative, burokratike dhe pas miratimit fillon zbatimi i tij, atëherë ky ligj mund të sjellë efekte pozitive.

Mustafë Hasani, ish udhëheqës në Agjencinë për Promovimin e Investimeve në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se efektet e këtij ligji mund të vërehen.

“Nëse ligji i inkorporon brenda vetes këto ndryshime që janë strategjike për tërheqjen e investimeve të huaja, në qoftë se Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), punon me seriozitet në zbatimin e prioriteteve që përcaktohen, unë besoj shumë".

"Megjithëse, nuk mund të reflektoj në tremujorin apo gjashtëmujorin e parë, por gjithsesi do të ketë ndikim pozitiv për të tërhequr investitorë të huaj. Të ketë zvogëlim të burokracisë, mos të jetë kaq nivel të lartë korrupsionit”, ka thënë Hasani.

Ky është edhe qëllimi i projektligjit, thotë këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Sokol Havolli.

“Ky është edhe qëllimi i projektligjit, që eliminon procedurat burokratike dhe procedurat e zgjatura dhe do të mundësojë që për sektorët dhe vlerat e caktuara të investimeve, të ketë një negocim direket, përmes komisionit për negocimin e marrëveshjeve për investime strategjike, komision ky që do të jetë profesionist dhe do të themelohet me vendim të qeverisë”, ka thënë Havolli.

Ky projektligj do të caktojë edhe projektet strategjike në pikëpamje të numrit të të punësuarve dhe të vlerës së investimeve në këto projekte.

Vlerësohet se rritja eventuale e numrit të investitorëve të huaj, do të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

XS
SM
MD
LG