Ndërlidhjet

logo-print

Kthimi i padëshirueshëm në Kosovë


Foto arkivi / Kthimi i migrantëve kosovarë nga Gjermania

Foto arkivi / Kthimi i migrantëve kosovarë nga Gjermania

Pasi ka qëndruar tetë muaj në Gjermani, Igballe Ukiqi, nga Komuna e Vushtrrisë, është kthyer përfundimisht në Kosovë më 8 shtator të këtij viti, pasi që shteti gjerman nuk i ka dhënë azil.

Ukiqi bashkë me bashkëshortin e saj dhe tre fëmijë të moshës 10, 8 dhe 4 vjeç, ishte nisur para 8 muajsh nga Serbia në Hungari dhe më pas në Gjermani, ku kishte vendosur të kërkonte strehim në Munich.

Ajo tregoi për Radion Evropa e Lirë se kishte marrë rrugën e migrimit për shkak të kushteve të vështira socio-ekonomike.

“Na kanë kthyer dhunshëm, nuk kam pas dëshirë, por nuk kishim çka të bëjmë. Kemi pas dje me marrë ndihmën sociale, por nuk e kemi marrë dhe jemi kthyer në Kosovë vetëm me 30 euro në xhep. Nuk kemi para”, tha Ukiqi.

Zonja Ukiqi tregon po ashtu se për të marrë rrugën e migrimit bashkë me burrin e saj, kanë hyrë në borxhe dhe kanë shitur pjesën me të madhe të pasurisë.

“Kemi borxhe, kemi kredi, 3000 euro i kemi marrë borxh. Arin që e kam pasur edhe atë e kam shitur, nuk kam kah të shkoj. Sikur ta kisha arin që e kam pasur, do ta kisha shitur në mënyrë që burri të mos e pësojë [për shkak të borxheve] “, tha Ukiq.

Gjatë qëndrimit në Munich të Gjermanisë, Ukiqi tha se në qendrën e strehimit ku kanë qëndruar, ka pasur migrantë edhe nga Afganistani dhe Siria, të cilët sipas saj kanë pasur më shumë ndihmë se ata nga Kosova.

Edhe Rufie Omuri nga fshati Greme, Komuna e Ferizajt, një ditë më parë është kthyer nga Gjermania, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Omuri ka qëndruar shtatë muaj në Gjermani me tre fëmijët e saj. Zonja Omuri, nënë e vetme, aktualisht është duke qëndruar te të afërmit e saj.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se jeta për të dhe fëmijët e saj do të jetë e vështirë pasi që nuk ka punë, e as përkrahje nga shteti.

“Kanë ardhur dhe na kanë marrë policia edhe me thanë se ke për t’u kthyer bashkë më tre fëmijët. Sikur ta dija se ku të drejtohem, kisha për të kërkuar ndihmë. Nuk di as ku të drejtohem; a jep ndihmë dikush, a përgjigjet dikush për ne, nuk e di...”, u shpreh Omuri.

Shaip Kaleshi nga Komuna e Lipjanit që gjendet 18 kilometra nga kryeqyteti i Prishtinës, po ashtu është kthyer në Kosovë nga Austria bashkë me familjen 3 anëtarëshe. Ai atje ka qëndruar tetë muaj.

“Kemi shkuar në Austri, për shërim të djalit. Në Kosovë nga mjekët jam udhëzuar që shërimin e djalit ta bëj jashtë vendit. E kam kryer operacionin e parë të djalit. Doktori atje m’i ka dhënë letrat që edhe tre muaj nuk guxoj të kthehem në Kosovë, mirëpo në mëngjesin e së martës na kanë kthyer”, tha Kaleshi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, bën të ditur se që nga fillimi i këtij viti, në Kosovë janë riatdhesuar rreth 14 mijë persona.

Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme, tha për Radion Evropa e Lirë se riatdhesimi po vazhdon, duke u bazuar në marrëveshjet për riatdhesim që i ka bërë Kosova me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato shtete që nuk janë pjesë e BE-së.

“Shumica e të riatdhesuarve nga kjo shifër prej 14 mijë, janë nga Gjermania, pasi që në këtë shtet ka pasur numër më të madh të kërkesave për azil prej kosovarëve”, tha Krasniqi.

Ai ka përsëritur qëndrimin zyrtar të Ministrisë se Punëve Brendshme, se personat të cilët kanë migruar ilegalisht nga Kosova në vendet e BE-së deri në vitin 2010, mund të përfitojnë asistencën sociale. Kurse, ata persona të cilët kanë migruar më vonë, nuk mund të përfitojnë asgjë.

Ai tha se në rastet kur një familje nuk ka ku të strehohet, komuna që i takon dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet t’i bëjë zgjidhje.

Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, disa mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kanë marrë rrugën e migrimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar kufirin e brishtë ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Vala e madhe e migrimit të qytetarëve nga Kosova pati detyruar Hungarinë, Serbinë, Austrinë dhe Gjermaninë të forcojnë kontrollin e kufirit, për të penguar kalimin e paligjshëm.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG