Ndërlidhjet

Tensione në raportet qeveri - opozitë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Raportet midis qeverisë dhe opozitës në Kosovë sa vijnë e ashpërsohen.

Mungesa e komunikimit, fjalori fyes dhe gjuha degraduese, po përcillet edhe me aksionet kohë pas kohe të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe eskortës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Aktivistë të Vetëvendosjes kanë hedhur ngjyrë ndaj veturës zyrtare të kryeministrit.

Opozita, është në fazën e përgatitjes së protestave, siç i quan ajo, për rrëzimin e qeverisë aktuale, duke e arsyetuar këtë qëllim me marrëveshjet e fundit që kjo qeveri nënshkroi në Bruksel, me Beogradin, sidomos në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mirëpo edhe te opozita, ka disa dallime në koncept. Përderisa Vetëvendosje thotë se do të organizojë protesta dhe ndërmarrë masa radikale, subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zotohet se do të organizojë vetëm protesta të qeta.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se protestat nuk kanë si qëllim rrënimin e shtetit, por ndaljen e keq-qeverisjes.

"Kjo nuk është një nismë 'ad hoc' më, një nismë e përkohshme. Është një nismë për të mbërri qëllimet e pengimit të degradimit të gjendjes qeverisëse në vend. Por, jo me dhunë dhe jo duke rrënuar. Ne kur po flasim kundër dhunës po tregojmë që nuk do t'i mbajmë sytë mbyllur që të lëmë të keqpërdoret protesta dhe të marrë drejtim të gabuar, por që protesta vërtetë të jetë zëri i qytetarëve dhe që pengon degradimin e mëtejmë të gjendjes në vend", ka thënë Haradinaj.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila paralajmëroi në shumë raste protesta e veprime kundër zbatimit të saj.

Vetëvendosje, nga ai moment i quajti tradhtarë kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij Hashim Thaçi dhe kohë pas kohe organizoi disa aksione si përgatitje për protestat e ardhshme.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka arsyetuar këto veprime, duke thënë se me këtë Asociacion po preket në ekzistencën e Republikës dhe se Serbisë po i jipet e drejta që të ndërhyjë në sistemin e brendshëm juridik e kushtetues të Kosovës.

"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që shoqëria të jetë vigjilente dhe më e vendosur në kundërshtimin e kësaj "zajednice" [termi që Vetëvendosje përdorë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe], sepse themelimi i saj nuk është se e prek vetëm një pjesë të Kosovës, por e prek në tërësi tërë Republikën e Kosovës, por edhe më keq, e prek në thelb Republikën e Kosovës", ka theksuar Ymeri.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, përmes një deklarate me shkrim të lëshuar të mërkurën, i gjykon dhe i cilëson të papranueshme dhe me pasoja të dëmshme për shtetin e Kosovës çdo formë të dhunës të ushtruar mbi institucionet dhe përfaqësuesit legjitim të Republikës.

Ekzekutivi i siguron qytetarët e Kosovës se ngjarjet e tilla nuk do të mund ta ndalin atë në misionin për zhvillim ekonomik, shtet ligjor dhe integrime euroatlantike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar për debat konstruktiv politik, brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG