Ndërlidhjet

Autoritetet komptente në Kosovë, pohojnë se kanë bërë furnizimin me terapi të nevojshme për personat e rritur që jetojnë me HIV, por terapia e nevojshme për fëmijët që bartin këtë virus, mungon.

Kështu thotë Alban Gjonbalaj, përfaqësues i organizatës për personat që janë të prekur nga virusi HIV/AIDS në Kosovë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova numëron rreth 100 persona të prekur nga kjo sëmundje, që nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë.

"Që nga viti i kaluar, terapia për fëmijë mungon, derisa për të rriturit është bërë një furnizim i mirë tashmë. Por, terapia pedriatike mbetet problem", tha Gjonbalaj.

Gjatë vitit 2014, janë regjistruar shtatë raste të reja të prekura me virusin HIV/AIDS në Kosovë, derisa këtë vit sipas zyrtarëve shëndetësorë, nuk është paraqitur asnjë rast i ri i të prekurve me këtë sëmundje.

Ndërkaq, fëmijët e prekur me HIV në Kosovë, në mungesë të marrjes së trajtimit të nevojshëm, këto shërbime i kryejnë jashtë vendit.

Murat Mehmeti, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se trajtimin e fëmijëve me HIV nuk mund ta bëjnë në Klinikën Infektive.

"Kemi sasi të mjaftueshmë të barnave për pacientët me HIV/AIDS, dhe nuk kemi telashe në trajtimin e tyre, por sa u përket fëmijëve me HIV, tani nuk disponojmë terapi anti-retrovirale. Por, besoj që shumë shpejtë do të bëjmë kërkesën për furnizim".

Zoti Gjonbalaj shton se në Kosovë mungon edhe laboratori i nevojshëm i analizave përkatëse për këtë sëmundje.

"Mungesa e laboratorit të analizave në Kosovë, ka bërë që të vazhdojnë t'i dërgojnë pacientët jashtë shtetit, pasi që nuk është gjetur mundësi për të investuar në krijimin e laboratorit në Kosovë si dhe të avansimit të stafit në këtë drejtim".

"Terapia për të rritur është plotësuar, derisa zbrazëtira tjera të nevojshme ka. E kjo ka bërë që pacientët të mos mund të marrin një kujdes standard të nivelit evropian për trajtimin e personave me HIV".

Edhe zoti Mehmeti ka deklaruar se analizat e pacientëve i dërgojnë jashtë vendit në mungesë të kushteve adekuate për përpunimin e tyre në Klinikën Infektive.

"Analizat laboratorike esenciale për këta pacientë, edhe më tutje vazhdojmë t'i dërgojmë jashtë vendit, pasi që tek ne nuk mund t'i punojmë. Janë dy analiza më specifike që përmes laboratorit i dërgojmë jashtë Kosovës, dhe rezultatet i marrim në mënyrë elektronike".

Sidoqoftë, përfaqësues të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thonë se Kosova karakterizohet me një shkallë të ulët të rasteve me HIV/AIDS dhe hyn në kategorinë e vendeve me përhapje të ulët, por nuk e mohojnë faktin se faktorët e rrezikut si trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme - janë të pranishme.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG