Ndërlidhjet

Odisea e një refugjati sirian

  • RFE /RL

Rami ka dhënë mijëra euro ryshfet, është ndaluar nga policia dhe ka ecur me orë të tëra nëpër pyje dhe rrugica të errëta. Të gjitha këto vetëm për të ikur nga vendi i tij i shkatërruar nga lufta, Siria, dhe për të arritur destinacionin e ëndërruar - Gjermaninë.

Tani, ky djalë 24 vjeç, nga Damasku, ndodhet mbi 3,000 kilometra larg shtëpisë dhe duket disi i çliriuar pas një udhëtimi të guximshëm deri në zemër të Evropës, përmes Rrugës së Ballkanit.

Është një udhëtim që ka joshur qindra-mijëra refugjatë dhe migrantë të tjerë nga Siria, Afganistani, Iraku dhe pjesa veriore e Afrikës.

Shumica arrijnë së pari në Greqi, vazhdojnë drejt veriut përmes Ballkanit, dalin në Hunagri dhe pastaj në destinacione të tjera të “Evropës së vjetër”.

Rami, i cili nuk pranon të japë mbiemrin nga frika e hakmarrjes së mundshme ndaj familjes së tij në Siri, ndodhet aktualisht në një kamp refugjatësh në jugperëndim të Gjermanisë, duke pritur përpunimin e dokumenteve për të filluar një jetë të re.

Ai thotë se gjermanët kanë qenë “të mirë” dhe është i sigurt për perspektivën e tij atje.

Rami

Rami

Rami ka studiuar gjuhën angleze në Universitetin e Sirisë dhe shpreson që këto aftësi t’i vë në përdorim edhe në qytetin e tij të ri.

Udhëtimi i tij ka nisur rreth dy vjet më parë, kur ka lënë familjen dhe miqtë në Siri. Lufta katërvjeçare atje ka shkaktuar miliona refugjatë.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara thotë se 4 milionë sirianë janë të regjistruar si refugjatë në Turqi, Liban, Jordani dhe Irak. Tetë milionë të tjerë janë të zhvendosur brenda Sirisë.

Rami thotë se për herë të parë ka shkuar në Turqi, për të fituar para për udhëtimin e tij në Evropë. Me një turqishte të kufizuar, Rami thotë se ka bërë punë të rënda në Stamboll.

Në muajin korrik, ai ka pasur një shumë të parave të kursyera dhe ka qenë i gatshëm të niset drejt Evropës. Ka marrë anijen në Izmir të Turqisë drejt ishullit Kos të Greqisë, ku u është bashkuar mijëra migrantëve të tjerë. Edhe pse një distancë prej pak kilometrash, Rami thotë se u ka paguar trafikuesve 1,200 dollarë për udhëtimin.

Në fillim të gushtit, ai ka marrë anijen për në Athinë, të siguruar nga Qeveria greke, dhe pastaj autobusin drejt kufirit me Maqedoninë. Nga pika kufitare e Gjevgjelisë, Rami dhe pasagjerët e tjerë kanë marrë trenin për në Serbi.

Deri këtu, Rami thotë se udhëtimi ka shkuar pak a shumë sipas planit.

Kjo ka ndryshuar kur ka kaluar nga Maqedonia në Serbi. Ai dhe të tjerë janë kapur nga policia kufitare serbe dhe janë dërguar në një kamp refugjatësh në Preshevë, ku u është lëshuar vizë 10-ditëshe.

Rami, më pastaj, thotë se ka blerë një biletë autobusi për në Beograd, ku ka qëndruar disa ditë përpara se të nisej drejt kufirit me Hungarinë.

Atij i janë dashur dy përpjekje për të arritur shtetin hungarez. Në të parën, policia serbe e ka kapur atë dhe 50 të tjerë, duke i akuzuar për qëndrim më të gjatë sesa u ka lejuar viza. Gjykatësi u ka dhënë një zgjidhje:

“Në gjykatë na është thënë ose paguani 50 euro për person dhe jeni të lirë, ose duhet të prisni në burg rreth pesë ditë dhe pastaj mund të shkoni”, tregon Rami, i cili ka paguar ryshfetin.

Ai dhe grupi i tij janë përpjekur sërish të kalojnë kufirin me Hungarinë. Fati, këtë herë, ka qenë në anën e tyre, pasi, për shkak të shirave të furishëm, ka pasur më pak policë në patrulla.

Të udhëhequr nga sistemi i navigacionit GPS i telefonave mobilë, Rami dhe të tjerët, përmes pyjeve, kanë dalë në Hungari.

Një taksi, ai e ka paguar 600 euro për të arritur në kufirin midis Austrisë dhe Gjermanisë. Nga aty, ka ecur sërish në këmbë për të arritur tokën gjermane.

Rami thotë se ka shpenzuar rreth 3,000 dollarë deri në destinacion, por nuk ndjen keqardhje.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG