Ndërlidhjet

logo-print

S'ka ende gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e prokurorit


Ilustrim

Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni, ende nuk kanë arritur të harmonizojnë qëndrimet për prokurorin special edhe pse deri në zgjedhjen e tij kanë mbetur edhe 5 ditë.

Dallimet kryesore kanë të bëjnë me ekipin e tij dhe ndryshimet ligjore që duhet bërë për zyrtarizimin e tij nga ana e Kuvendit.

Opozita kërkon që prokurori të ketë një staf të zgjeruar prej së paku 12 zëvendësprokurorëve, personelit tjetër ndihmës dhe një buxheti të posaçëm që do të garantonte pavarësi në punën e tij në hetimin e aferës së përgjimeve, ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike.

Partitë në pushtet, në veçanti VMRO-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, fillimisht kërkonte që i gjithë hetimi të bëhet vetëm nga prokurori, por së fundi ka pranuar që ai te ketë një ekip, por jo në formën siç kërkon Lidhja Social-Demokrate e opozitës e drejtuar nga Zoran Zaev.

Partia e tij duhet të dal me propozimin edhe për emrin e prokurorit, por që zgjedhja e tij duhet të bëhet me pëlqimin edhe të partive tjera.

Njohësit e çështjeve politike thonë se pa ndërhyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, vështirë se partitë do të merren vesh për zgjedhjen e tij në afatin e paraparë.

“Konsideroj se procesi i zgjedhjes së prokurorit special nuk do të përfundojë pa presionin e faktorit ndërkombëtar. Kjo mendoj se do të ndodhë tre apo katër ditë pas skadimit të afatit të paraparë, konkretisht vetëm me ardhjen në Maqedoni të komisionarit, Johanes Hahn. Dallimet janë evidente, kështu që pa ndërhyrje nga jashtë nuk do të ketë përafrim qëndrimesh“, thotë analisti Mitko Gaxhoski.

Albert Musliu, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Iniciativës Demokratike, beson se deri më 15 shtator do të zgjidhet prokurori special dhe se në këtë proces rol vendimtar do të ketë faktori ndërkombëtar i cili edhe mundësoi arritjen e marrëveshjes politike.

“Unë mendoj se prokurori do të zgjidhet deri më 15 shtator, pasi është një ndër shtyllat kryesore të marrëveshjes politike. Shumë herë është bërë e qartë se në rast se kjo nuk ndodhë atëherë do të ketë pasoja për tërë procesin dhe opozita do të ndryshojë raportin e saj ndaj marrëveshjes në përgjithësi".

"Vlerësoj se partitë e dinë se ndërhyrja nga jashtë nuk do të mungojë se kjo çështje nuk mund të anashkalohet andaj edhe ndjehen komode. Partitë jo rrallë herë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve e përdorin edhe si arsyetim para anëtarësisë së tyre“, thotë Musliu.

Opozita ka bërë të ditur se në rast se deri më 15 shtator nuk zgjidhet prokurori, atëherë ajo do të nisë me publikimin e bisedave tjera telefonike të zyrtarëve, përfshirë edhe kryeministrin, e me të cilat siç thotë ai, “dëshmohet përfshirja e tyre në krime të rënda“.

Opozita pretendon se ka biseda që edhe më tej flasin “për shkeljet ligjore dhe ndërhyrjet e zyrtarëve në pavarësinë e gjyqësorit, në punën e mediave, falsifikimin e zgjedhjeve, në kurdisjen e tenderëve të ndryshëm si dhe në përfitime materiale përmes veprimtarive të ndryshme kriminale”.

Kryeministri, Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE mbeten në qëndrimin se pretendimet e opozitës janë të pabaza ndërsa bisedat e përgjuara telefonike të montuara me qëllimin diskreditimin e tyre, por edhe destabilizimin e vendit përmes shërbimeve të huaja sekrete.

Të gjitha këto akuza dhe kundërakuza duhet t'i hetojë prokurori special.

XS
SM
MD
LG