Ndërlidhjet

logo-print

Lufta e autoriteteve të Kosovës kundër varfërisë, nga përfaqësues të shoqërisë civile në vend, po vlerësohet të ketë dështuar.

Përgjatë viteve, sipas tyre, niveli i varfërisë nuk ka shënuar rënie, për më shumë ata shprehen se jeta e familjeve që jetojnë në varfëri është vështirësuar.

Të dhënat e nivelit të varfërisë në Kosovë janë të vitit 2011. Sipas këtyre të dhënave, shkalla e varfërisë së përgjithshme është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10.2 për qind.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk kanë pasur një qasje shumë serioze ndaj luftimit të varfërisë.

“Niveli i lartë i varfërisë në një vend është i lidhur ngushtë edhe me nivelin e lartë të papunësisë në atë vend. Edhe nëse nuk kemi të dhëna të përditësuara mbi nivelin e varfërisë në Kosovë, mjafton që të shihen të dhënat e papunësisë. Papunësia nga viti 2013 në vitin 2014 është rritur nga 30 për qind në 35 për qind. Kjo na tregon se nuk ka ndonjë zhvillim që mund të ketë ndikuar në uljen e varfërisë në vendin tonë”, ka thënë Mehmeti.

Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se varfëria e përgjithshme dhe varfëria ekstreme kanë shënuar rënie gjatë vitit 2013 dhe 2014.

Megjithatë, sipas tij, të dhënat përfundimtare janë në finalizim e sipër dhe se së shpejti pritet të publikohen.

“Sipas rezultateve të vitit 2011 në Kosovë kanë jetuar 29.7 për qind e popullsisë në varfëri të plotë, ose me 1.72 euro për një person të rritur. Derisa, në vitin 2011 varfëria ekstreme ka qenë 10.2 për qind, kjo pjesë e popullatës nuk ka arritur t’i plotësojë nevojat elementare për jetë dhe kanë jetuar me 1.20 euro në ditë për persona të rritur”, ka sqaruar Bellaqa.

Varfëria në vitin 2011, ka theksuar Bellqaq ka qenë më e theksuar në zonat rurale.

Shkalla e varfërisë, po ashtu sipas tij, ka qenë më e shprehur në mesin e ekonomive familjare ku kryefamiljari është i gjinisë femërore dhe aty ku niveli i arsimimit është më i ulët.

“Ekonomitë familjare më të mëdha kanë qenë më shumë të atakuara nga varfëria. Madhësia mesatare e ekonomive familjare në Kosovë sillet nga 5.9 persona. Sipas rezultateve, ekonomitë familjare që kanë 8 anëtarë dhe ato mbi 10 anëtarë, përqindja e varfërisë në këto familje ka qenë 38 për qind”, ka treguar Bellaqa.

Para shtatë vjetësh, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishte zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.

Zotimet e dhëna nga autoritetet e Kosovës, shton Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, nuk janë përmbushur as për së afërmi.

“Për këtë duhet një qasje serioze dhe një strategji afatgjate. E para duhet të kemi një strategji që të rrisim kualitetin e edukimit dhe arsimit në një vend, në veçanti arsimin profesional".

"E dyta, do të ishte që të kemi një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili do të garantonte krijimin e vendeve të reja të punës si dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që do të gjeneronin vende të reja të punës, ne veçanti në zonat rurale ku varfëria është më e theksuar”, vlerëson Mehmeti.

Gjatë këtyre viteve, sipas tij, asistenca sociale për familjet e varfëra ka mbetur e njëjtë, niveli i punësimit nuk është rritur, të ardhurat kanë mbetur të njëjta, derisa, çmimet e konsumit kanë shënuar ngritje gati nga viti në vit.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG