Ndërlidhjet

IS-i keqpërdor fotografinë e Aylan Kurdit


Aylan Kurdi dhe vëllau i tij
Aylan Kurdi dhe vëllau i tij

Fotografia e Aylan Kurdit, fëmijës sirian, i cili është gjetur i mbytur në një plazh të Turqisë javën e kaluar, është bërë e njohur për secilin.

E publikuar nga qindra media në gjithë botën, fotografia tronditëse e fëmijës së vogël, i cili ka vdekur duke ikur nga lufta dhe terrori në vendin e tij, ka ngjallur ndërgjegjen dhe emocionet e Evropës.

Por, publikimi i fotografisë në edicionin e fundit të revistës së grupit militant të Shtetit Islamik (IS), Dabiq, është i dhimbshëm, por jo befasues.

Nuk ka dyshime se Shteti Islamik ka përdorur vdekjen e fëmijës për të paralajmëruar se çfarë i pret fëmijët e sirianëve të tjerë, të cilët bëjnë përpjekje të ikin nga sundimi i xhihadistëve.

Grupi militant ka thënë se sirianët që ikin nga tokat që kontrollon Shteti Islamik, bëjnë “mëkat të rrezikshëm”, i cili do të rezultojë me konvertimin e fëmijëve të tyre ose nipërve të tyre në krishterizëm, ateizëm ose liberalizëm.

Edhe nëse fëmijët e refugjatëve sirianë në Evropë nuk bëhen “të pafe”, ata “do të jenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve jashtëmartesore, sodomisë, drogave dhe alkoolit”, ka shkruar revista Dabiq.

Sipas së njëjtës, edhe ata fëmijë “që nuk bëjnë mëkate”, do të vuajnë, sepse do të harrojnë të flasin arabisht, gjuhën e Kuranit dhe të Islamit.

Artikulli është ilustruar edhe me një imazh të refugjatëve në pjesën e prapme të një furgoni. Në legjenden e fotografisë thuhet: “Shumë sirianë kanë vdekur në rrugën drejt tokës së të pafeve”.

Artikulli po ashtu tregon se si Shteti Islamik ka përvetësuar termat dhe idetë myslimane për qëllimet e tij propaganduese.

Në këtë aspekt, është edhe fjala “hijrah”, një term mysliman që fillimisht ka nënkuptuar migrimin paqësor të myslimanëve në zonat ku do të jenë të lirë nga persekutimi.

Sipas Rebecca Gould, nga Universiteti i Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar, Shteti Islamik ka militarizuar idenë e hjirah, duke e përdorur atë si mjet rekrutimi, për të bindur myslimanët që të kalojnë në territorin që kontrollohet nga militantët.

Në artikullin e saj, revista Dabiq argumenton se, me themelimin e “kalifatit” – term ky që përdor Shteti Islamik për tokat nën kontrollin e tij – myslimanët duhet të bëjnë hijrah në territorin e Shtetit Islamik.

Grupi xhihadist po ashtu thotë se myslimanët nuk lejohet të zhvendosen në ato zona të Sirisë ose Irakut që kontrollohen nga grupet joislamike, dhe sigurisht jo në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG