Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO është futur në agjendën zyrtare të Këshillit Ekzekutiv, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Shumë sfida na presin, por rrugëtimin tonë, diplomacia serbe nuk e ndali dot me mahinacione procedurale dhe propagandë negative – edhe pse ka tentuar. Falënderoj shumë 42 shtete qe kanë bashkënënshkruar kërkesën për anëtarësi, falënderoj ambasadoren Kadare dhe ekipin tonë për punë të palodhshme, këto javët e fundit”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Javë më parë, autoritetet e Kosovës kanë thënë se pritjet janë që në muajin tetor komiteti ekzekutiv i UNESCO-s të japë rekomandimin pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Serbia, në anën tjetër, ka thënë se do të bëjë gjithçka të mundur për të penguar anëtarësimin e Kosovës.