Ndërlidhjet

Shqetësime për përmasat e analfabetizmit funksional


Ilustrim
Ilustrim

Organizatat joqeveritare në Kosovë, kanë ngritur shqetësime dhe kanë bërë thirrje për një përkushtim më të madh nga autoritetet kompetente, për uljen e nivelit të analfabetizmit në Kosovë.

Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, ka thënë se institucionet kompetente të arsimit në Kosovë, duhet t'i shqetësojë fakti se Kosova ka nivelin më të lartë të analfabetizmit.

“Numri i analfabetëve funksional duhet të themi se është mbi 40 për qind. Kjo paraqet një pengesë jashtëzakonisht të madhe të zhvillimit të shoqërisë kosovare”, ka deklaruar Hyseni.

Ai thekson se çështja e analfabetizmit duhet të bartet tek organet, të cilat ndërtojnë politika zhvillimore, pasi që, siç është shprehur ai, Kosova zë vendin e parë në Evropë me nivelin e lartë të analfabetizmit.

“Problemi i analfabetizmit në Kosovë është shqetësim i madh, sepse cilësia e sistemit të edukimit dhe arsimit, është në atë nivel që ende prodhon numër të madh të analfabetëve funksionalë. Do të thotë, analfabetë, të cilët dinë lexim-shkrim, por lexim-shkrimin nuk mund ta përdorin për përmirësimin, integrimin e tyre në jetën aktive qytetare”, ka thënë Hyseni.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë deklaruar se përmes projekteve të ndryshme, janë munduar të ulin shkallën e analfabetizmit.

Për zbutjen e analfabetizmit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka mbajtur mësime joformale, që mundësojnë mësimin e shkrim-leximit, për qytetarët, të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin.

Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me analfabetizmin në Kosovë, ka thënë se institucionet arsimore janë duke punuar që kjo dukuri të zvogëlohet.

“Ne jemi duke punuar me plane fillimisht për gjithëpërfshirjen në shkolla, që asnjë fëmijë i asnjë komuniteti të mos mbetet pa qasje në shkollë. Por, për ne nuk është me rëndësi vetëm gjithëpërfshirja apo masa. Për ne, me rëndësi është cilësia, dhe gjërat që ne sot po promovojmë, tregojnë se si ngrihet cilësia në shkollë”, është shprehur ministri Bajrami, duke theksuar se për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme është e nevojshme nxitja e kulturës për shkrim dhe lexim.

Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga partia politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, anëtare e Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, konsideron se Ministria e Arsimit në drejtim të uljes së nivelit të personave analfabet funksional dhe klasik, nuk ka bërë sa duhet.

Ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk mjafton vetëm të shkruhen dokumentet dhe strategjitë nga ana e institucioneve,por ato edhe duhet të zbatohen në praktikë.

“Qeveria e Kosovës duhet të marrë hapa konkret, e jo fjalë boshe, jo sa për të deklaruar se kemi bërë diçka po në fakt realiteti është krejt ndryshe. Pra, Kosova nuk ka bërë hapa pozitivë dhe nuk po bën dhe nuk shihet që trendi i kësaj dukuri po bie”, ka thënë ajo.

Haxhiu, e cila ka punuar për 25 vjet në arsim, shpreh shqetësimin e saj edhe mosdijen dhe mënyrën se si po mësojnë gjeneratat e reja.

“Shkalla e analfabetizmit është e madhe. Edhe më e dhimbshme është çështja e nxënësve ose të rinjve tanë që, në fakt, kryejnë shkollimin, por janë të pa ditur”.

“Ndodh që në një gjysmë-vjetor nxënësit t’i kenë edhe nga 11 nota të dobëta, kurse në gjysmë-vjetorin e dytë, ose në fund të vitit vijnë dhe kalojnë me sukses të mirë. Kjo është edhe më e dhimbshme, sepse kjo konsideroj se është të nxjerrësh analfabet me diplomë”.

“Po ashtu nga të mënyra se si shkruajnë të rinjtë tanë në rrjetet sociale tregon më së miri se sa ata janë analfabet. Besoni, po flas për një pjesë, janë raste të rralla që ata mund ta bëjnë një fjali pa gabime”, është shprehur Haxhiu.

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, thuhet se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë e 188 persona.

Mosha e personave analfabetë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, thuhet të jetë mbi 55 vjeç.

XS
SM
MD
LG