Ndërlidhjet

logo-print

Institucionet pa përgjigje për refugjatët e mundshëm


Migrantët nga Siria

Migrantët nga Siria

Se a do t’i pranojë Kosova refugjatët nga Siria, kjo varet se a ka vendi mundësi të mjaftueshme për një gjë të tillë.

Por, lidhur me këto mundësi, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, edhe pse kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga tashmë ka kërkuar që të shqyrtohen ato.

Në një deklaratë të lëshuar nga Presidenca, thuhet se “presidentja Jahjaga, çështjen e refugjatëve e ka biseduar ditë më parë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, dhe ka kërkuar që të shqyrtohen dhe vlerësohen mundësitë e kapacitetet nëse Kosova është e gatshme që të solidarizohet me strehim të refugjatëve të ikur nga lufta në Siri”.

Në deklaratë, po ashtu, thuhet se presidentja Jahjaga ka kërkuar që të bëhen vlerësimet, duke marrë parasysh edhe kufizimet si dhe resurset që ka Kosova, dhe “pas konsultave me faktorin ndërkombëtar në Kosovë dhe njëkohësisht edhe duke marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për t'ju dalë në ndihmë refugjatëve”.

Por, lidhur me këtë çështje, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilën e drejton ministri Abrashi, ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Për një përgjigje të shtetit janë duke pritur edhe organizatat që merren me punë humanitare.

Përfaqësuesit e shoqatës “Nëna Terezë“ vlerësojnë se pranimi i refugjatëve është obligim moral dhe njerëzor, por, sipas tyre, nevojitet koordinim i mirë i institucioneve të shtetit me sektorin joqeveritar.

Kryetari i shoqatës “Nëna Terezë”, Zef Shala, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se ofrimi i akomodimit nuk do të varej vetëm nga institucionet e shtetit, por për këtë do të ndihmonin edhe një numër donatorësh.

“Presidentja duhet t’i thërrasë organizatat joqeveritare, siç jemi ne dhe të tjerë, që kemi përvojë në këtë drejtim dhe të shohim se ku jemi, sepse çështja e refugjatëve është e gjerë. Është strehimi, ushqimi, fëmijët dhe shumë gjëra komplekse. Prandaj, kërkohet një koordinim ndërshtetëror... Pa përkrahjen e shtetit nuk mund të bëjmë asgjë, sepse problemi ka dalë i shpejtë, aty për aty”, thotë Shala.

Ai shton se refugjatët e mundshëm nga Siria mund të strehohen në rajone ku ka më pak banorë.

“Strehimi, në Prishtinë, për shembull, është shumë problem, sepse nuk ke ku t’i strehosh njerëzit. Duhet të konsultohemi ne, sepse ka qytete apo fshatra të ndryshme që janë të zbrazura, ku mund ta bëjmë një gjë të tillë. Andaj, lypset të na pyesë dikush se kah do t’i çojmë, në çfarë kushte dhe kapacitete, etj”, shton ai.

Në anën tjetër, në Kosovë, në Magurë të Lipjanit, ekziston Qendra për azilkërkues, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, në të cilën aktualisht janë të akomoduar 55 persona, shumica prej tyre nga Siria, që kanë parashtruar kërkesat për azil.

Drejtori i kësaj qendre, Fitim Zariqi, thotë se këtyre personave menjëherë pas ardhjes së tyre, u është ofruar akomodimi, paketa higjienike dhe shujtat ditore.

Sipas tij, ata kanë kërkuar azilin dhe po presin për përgjigje, por, siç thotë ai, një numër prej tyre tashmë e kanë braktisur Kosovën dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Kryesisht, janë të moshës madhore. Prej tyre, kanë qenë tri familje, kurse të tjerët kanë qenë individë... Siç parashihet me nenin 71 të Ligjit për azil, ku shprehimisht thuhet se Qeveria vendos se a duhet të pranohen refugjatët, apo jo".

"Në rast se Qeveria e Kosovës merr vendim që të pranohen refugjatë, atëherë ne jemi në shërbim të atij vendimi. Qendra për azil ka një kapacitet për akomodimin e 60 azilkërkuesve, me mundësi maksimale të rritjes deri në 123 persona”, sqaron Zariqi.

Migrantëve në këtë qendër u ofrojnë ndihmë edhe dy organizata, Programi për të drejtat qytetare e Kosovës dhe Qendra kosovare për rehabilitimin e viktimave të torturës.

Këto programe i mbështet Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR).

Programi për të drejtat qytetare (CRP/K) është organizatë joqeveritare në Kosovë, e cila ofron ndihmë juridike falas, përfshirë edhe personat që janë të vendosur në Qendrën për azil.

Kjo organizatë, gjithashtu, jep kontribut edhe për hartimin e legjislacionit në fushën e azilit dhe migracionit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG