Ndërlidhjet

Maqedoni: Shteti, standarde të dyfishta për kthimin e borxheve


Ilustrim
Ilustrim

Oda Ekonomike e Maqedonisë ka kërkuar që të ndryshohet Ligji për pagesa, i cili kompanive private, që shteti u ka borxh, t’u mundësohet që paratë t’i marrin përmes ndërhyrjes së përmbaruesve, përkatësisht pagesa të bëhet me vendim të përmbaruesve nga llogaritë e më shumë institucioneve shtetërore.

Elena Milevska - Shtërbeska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thotë se një pjesë e madhe e firmave private nuk mund t`i detyrojnë institucionet shtetërore të bëjnë pagesën e mallrave apo shërbimeve, të cilat i kanë shfrytëzuar.

Një gjë e tillë, thekson ajo, drejtpërdrejt ndikon në moslikuiditetin e sektorit privat, madje dhe me mbylljen e një pjese të kompanive të vogla.

Ndonëse analistët ekonomikë thonë se borxhi që ka shteti ndaj kompanive private është shumëfishuar viteve të fundit, qeveria edhe vetë biznesmenët nuk kanë parapëlqyer të tregojnë hapur, se cila është vlera e saktë që shteti u ka borxh kompanive private.

“Nuk është çështja se sa është borxhi, përkatësisht kërkesat për kthimin e borxhit që ka shtetit ndaj sektorit privat nëse janë të mëdha ose të vogla, por çështja është se duhet krijuar mekanizma ligjorë që shteti të ketë qasje të barabartë ndaj të gjitha firmave private. Pra, subjekte të caktuara nga sektori i biznesit ballafaqohen me probleme të kësaj natyre. Nuk bëhet fjalë për një ose dy raste, por ka shumë raste”, thotë Milevska-Shtërbeska.

Analistët ekonomikë thonë se shteti në vend se të krijojë kushte të barabarta për të gjitha subjektet afariste në tregun ekonomik, ajo luan rolin e punëdhënësit kryesor, madje përcakton se cilat kompani do të mbijetojnë dhe cilat jo, duke favorizuar pagesat vetëm ndaj atyre pronarëve, të cilët kanë lidhje të afërta me drejtuesit e shtetit.

Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se drejtuesit e kompanive kanë frikë të tregojnë hapur sa para shteti u ka borxh, sepse druajnë nga inspektorët e shumtë, që siç thotë ai, do t`u varen në qafë për të gjetur dhe parregullsinë më të vogël, për ç’gjë do të duhet të paguajnë gjoba të larta.

“Çdo herë kur biznesmenët kanë ngritur zërin për të siguruar mjetet që shteti i ka ndaj kompanive për shërbimet ose punët e kryera, çdo herë jo që nuk ka arritur rezultatin e vet, por përkundrazi shteti ka intervenuar përmes inspektorateve të ndryshme duke e ngarkuar edhe më shumë sektorin e biznesit”.

“Në një situatë të këtillë, biznesit i mbetet vetëm të kryejë shërbime ndaj shtetit, përkatësisht të kontraktojë tenderë të caktuar dhe më pas të heshtë gjegjësisht të mos mund t’i sigurojë mjetet financiare për punët që i ka kryer, pra gjithçka varet nga vullneti i drejtuesve të institucioneve”, thekson Halili.

Ekspertët e ekonomisë, gjithashtu, theksojnë se shteti vendos standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për kthimin e borxhit, me atë që nëse kompanitë i kanë borxh njëra -tjetrës dhe nuk e kthejnë në afat të caktuar, pasojnë sanksione ndërkohë që shteti mund të mbetet borxhli në afat të papërcaktuar.

Por, ministri i Financave i Maqedonisë, Zoran Stavreski, edhe gjatë kësaj jave ka theksuar seinteresat e kompanive të vendit janë në fokus të politikave ekonomike të Qeverisë, përmes masave të shumta, të cilat, siç ka theksuar ai, drejtpërdrejt kanë ulur harxhimet e kompanive, veçanërisht ata të vogla dhe të mesme.

Kompanitë në Maqedoni kanë harxhime më të ulëta në të gjitha vendet e Evropës, shprehur përmes tatimeve të ulqta përkatësisht vetëm 7.5 për qind. Kemi stimuluar kompanitë që të riinvestojnë fitimin e tyre, duke iu shmangur kështu tërësisht pagesës së tatimeve. Kompanitë të cilat rrisin numrin e punëtorëve janë liruar nga pagesa e sigurimit pensional dhe atij shëndetësor, njëherësh kemi siguruar grante për kompanitë, të cilat s`kanë borxhe etj”, ka theksuar Stavreski.

XS
SM
MD
LG