Ndërlidhjet

Berlin: “Progres i rëndësishëm” në bisedimet për Ukrainën


Frank-Walter Steinmeier
Frank-Walter Steinmeier

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se është bërë “progres i rëndësishëm” kah zgjidhja e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës.

Duke folur pas takimit të tij me kolegët nga Franca, Rusia dhe Ukraina, mbrëmë në Berlin, zoti Steinmeier tha se ministrat “kanë bërë progres në disa gjëra kritike”.

Mëtutje, ai ka shprehur shpresë se së shpejti do të arrihet marrëveshja për tërheqjen e armatimeve nga linja e frontit ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe speratistëve të mbështetur nga Rusia.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se mbesin dallime në çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në territoret që janë nën kontroll të kryengritësve, por “mbresë e përgjithshme është se këto dallime mund të kapërcehen”.

Marrëveshja për armëpushim e arritur në muajin shkurt në Minsk të Bjellorusisë, pothuajse rregullisht është shkelur, por prej 1 shtatorit një armëpushim i ripërtrirë në përgjithësi është respektuar.

Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, janë vrarë më se 7,900 vetë.

XS
SM
MD
LG