Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohen statistika të sakta dhe të përditësuara


Ilustrim

Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës si autoriteti shtetëror, i cili merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare, po kritikohet nga shoqëria civile për mungesë të të dhënave të besueshme dhe të përditësuara.

Mungesa e të dhënave, të dhënat jo të besueshme dhe mospërditësimi i tyre, sipas shoqërisë civile, po krijojnë probleme të mëdha në ndërtimin e politikave publike.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se për të ndryshuar situatën në një fushë të caktuar të dhënat e sakta janë të domosdoshme.

“Meqë organizata jonë ka për qëllim ofrimin e ideve për politikë-bërësit për të ndërtuar politika të mira për vendin tonë, hulumtimet tona brumë kanë statistikat e sakta”.

“Kemi hasur në vonesa të shumta që kanë të bëjnë me përditësimin e statistikave dhe kjo është një pengesë serioze edhe për institutet hulumtuese, por është një pengesë e madhe edhe për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet të ndërtojë politika publike në bazë të gjendjes, e gjendjen më së miri e tregojnë statistikat”, ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti ka kërkuar një qasje më serioze të institucioneve përgjegjëse, për të prodhuar statistika që janë edhe të përditësuara, por që janë edhe të besueshme.

Përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se ky mekanizëm për grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e të dhënave statistikore zbaton standardet e Agjencisë për Statistika të Bashkimit Evropian, Eurostat.

Tashmë këto standarde dhe kjo metodologji është bërë e detyrueshme të zbatohet edhe përmes Ligjit për statistika zyrtare në Republikën e Kosovës.

Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se i pranojnë vërejtjet dhe propozimet që bëhen rreth të dhënave statistikore.

Ai ka theksuar se janë në fazën e ngritjes së kapaciteteve profesionale.

Megjithatë, ai ka shtuar se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës plotësojnë kriteret evropiane.

“Të dhënat që ne i publikojmë, janë profesionale. Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është institucion politik. Qëllimi ynë është të prodhojmë të dhëna të qëndrueshme, reale dhe gjithëpërfshirëse. Të gjitha të dhënat publikohen në bazë të metodologjisë dhe definicionit të Eurostat-it”, ka theksuar Bellaqa.

Në vitin 2010 Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk kishte pasur fare të dhëna për statistikat e tregut të punës, kjo siç ishte thënë, në mungesë të buxhetit.

Të dhënat për varfërinë janë të vitit 2011, derisa është thënë që pritet të publikohen se shpejti të dhënat për vitin 2013 dhe 2014.

Në ueb-faqen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, statistikat për shëndetësi janë të vitit 2013, po ashtu statistikat e sportit dhe kulturës janë të vitit 2013.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG