Ndërlidhjet

logo-print

"Refugee Air", linjë ajrore për migrantët

  • RFE /RL

Refugjatë nga Lindja e Mesme

Refugjatë nga Lindja e Mesme

Një grup i migrantëve dhe miqve iranianë e kanë shpallur një projekt ambicioz për ta krijuar një transport ajror të financuar nga njerëzit e zakonshëm, nga territoret e trazuara në gjithë Mesdheun për në Suedi, duke mundësuar që refugjatët e mundshëm t'u shmangen udhëtimeve të rrezikshme në tokë dhe det.

Këtë projekt ata e kanë quajtur “Refugee Air”.

Njëri nga organizatorët thotë se pjesërisht ishte frymëzuar nga pamjet e fëmijës 3 vjeçar, Aylan Kurdi, me kombësi kurde nga Siria, trupi i pajetë i të cilit përfundoi në bregdetin e Turqisë, pasi anija ku ai gjendej ishte fundosur, me ç’rast bdiqën edhe nëna dhe vëllai i tij, gjatë përpjekjes së pashpresë për të arritur në Greqi.

“Kisha dëshiruar të bëj diçka prej se ka filluar konflikti në Siri, por ishte vështirë të mendohej për ndonjë mënyrë të veçantë për të ndihmuar”, tha Emad Zand, një menaxher i ri investues në Stokholm, familja e të cilit kishte ardhur në Suedi nga Irani, kur ai ishte fëmijë.

Ai theksoi se kur i ka shikuar “pamjet e fëmijës Aylan”, ka menduar “O Zot, ne mund t’i dërgojmë njerëzit në Hënë, por ne nuk mund t’i dërgojmë ata në Evropë”?

Në këtë kuadër ai shprehet se “kishte pasur ndjenjë të fuqishme për Aylanin”, pasi e ka një fotografi të veten “si fëmijë-refugjatë 3 vjeçar”.

Përkundër vdekjes së fëmijës Aylan Kurdi dhe mijëra të tjerëve, refugjatët nga Siria vazhdojnë ta rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Evropë.

Ideja është se Refugee Air do t’i angazhonte aeroplanët e kompanive ajrore, ndërsa refugjatët do të fluturonin direkt në Suedi, pas një kontrolli detaj për identifikimin e kërkuesve të përshtatshëm për statusin e refugjatit.

Emad Zand dhe bashkëkombësja e tij iraniano-suedeze, Susane Najafi, vendosën se do ta bënin saktësisht këtë gjë, kështu që pas diskutimeve me miqtë dhe të njohurit, më 10 shtator i shpallën planet për projektin Refugee Air.

Refugee Air

Refugee Air

Sipas legjislacionit aktual të Bashkimit Evropian, kompanitë ajrore mund t’i bartin udhëtarët vetëm me pasaporta ose viza të vlefshme në destinimet në BE, dhe personat të cilëve u është premtuar azili në shtetin ku arrijnë.

Suedia u garanton azil të gjithë sirianëve, por kompanitë ajrore gjatë kontrollit shpeshherë bëjnë gabime.

“Neve nuk na lejohet që t’i bartim refugjatët të cilët nuk e kanë të garantuar azilin”, tha zëdhënësi i kompanisë Scandinavian Airlines (SAS), Henrik Edstrom, duke e theksuar rastin e Stambollit në Turqi, ku janë vendosur afro 2 milionë refugjatë, që kanë ikur nga lufta në Sirinë fqinje.

Në këtë kuadër ai e paraqet problemin se “brenda një minute ose më tepër, personeli i kompanisë në Stamboll, duhet të vendos nëse pasaporta e udhëtarit sirianë është autentike”.

Zëdhënësi Edstrom vlerëson se projekti Refugee Air është “nismë e mirë”, por thekson se ky projekt nuk do ta zgjidhë krizën.

Asociacioni i Kompanive Ajrore Suedeze javën e kaluar i ka shkruar Ministrisë së jashtme të Suedisë dhe Autoritetit të migracionit, duke kërkuar që të tërhiqet përgjegjësia ligjore e kompanisë, për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të imigrantëve që dëshirojnë të fluturojnë.

Sipas këtij asociacioni, kjo gjë do të mundësonte që kompanitë ajrore të pranonin më tepër refugjatë të mundshëm si udhëtarë.

Por, Zand dhe Najafi janë të bindur se refugjatët mund të fluturojnë në Evropë edhe sipas legjislacionit aktual, ndërsa ndërmarrja e tyre jofitimprurëse synon investimin e parave të veta në mënyrë që autoritetet suedeze të tregojnë gatishmëri për pranimin e udhëtarëve të kontrolluar paraprakisht.

Themeluesit e projektit Refugjati Ajror thonë se do të punojnë me Organizatat joqeveritare lokale për të qenë të sigurt se udhëtarët me të vërtetë janë persona që meritojnë azil.

Por, nëse udhëtari refuzohet në kufi, Refugee Air do të duhej ta kthente atë prapa dhe të paguante dënim.

Kjo ndërmarrje thotë se e ka mbështetjen nga donatorët privatë dhe kompanitë dhe se planifikon që fluturimi i parë do të realizohet “para se në Stockholm këtë dimër të bie bora e parë”.

Por, me gjithë qëllimet e mira të këtij projekti, sjellja e më tepër refugjatëve në Siri nuk është mirëpritur nga të gjithë.

“Ne nuk duhet t’i harrojmë sfidat me të cilat ballafaqohen imigrantët në Evropë, përfshirë papunësinë dhe izolimin”, thotë Afram Yakoub, president i Federatës së asirianëve në Suedi.

“Natyrisht, planet tona nuk do ta përfundojnë krizën e refugjatëve, por ky është një hap”, thotë Emad Zand.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG