Ndërlidhjet

logo-print

Siguri: Gratë marrin "përgjegjësinë e burrave"


Deputetet e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësueset e shoqërisë civile në Kosovë, japin vlerësime të ndryshme sa i përket nivelit të përfaqësimit të grave në institucionet e sigurisë në Kosovë.

Por, që të dy palët pajtohen se gratë në këto institucione nuk janë në pozita vendimmarrëse.

Teuta Haxhiu, anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pjesëmarrja e grave në këto institucione nuk është në nivelin e duhur.

“Një përfshirje pak a shumë e kënaqshme, mirëpo duhet të punohet shumë më shumë në vetëdijesimin në radhë të parë, pastaj hapësirën që duhet t'i krijohet femrës për të qenë e pranishme në këtë sektor".

"Madje, gratë nuk kanë as në pozita vendimmarrëse në këto institucione, edhe pse kemi ligje shumë të mira, ato nuk gjejnë zbatim sepse institucionet qendrore dhe lokale hezitojnë që gratë të jenë në pozita udhëheqëse", thotë Haxhiu.

Por, sipas një hulumtim i të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thuhet se gratë janë të përfaqësuara në nivel të duhur në institucionet e sigurisë, sektor ky që tradicionalisht është konsideruar si “përgjegjësi e burrave”.

Donika Emini, hulumtuese në këtë qendër, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përfaqësimi i gruas në Policinë e Kosovës, është 14.85 për qind, ku shumica nga to punojnë në stafin civil.

Kurse, në Forcën e Sigurisë se Kosovës, 8.23 për qind. Por pozita, gjeneral lejtnant, thotë ajo, ende mbetet diçka larg arritjes për gruan.

Brenda kësaj Force, pozita Gjeneral Brigade është një femër, kolonel – një femër, nënkolonel - 2 femra, major - 2 femra, kapiten - 2 femra dhe toger - 7 femra.

“Por, përveç përfshirjes, në praktikë ekzistojnë probleme dhe sfida të mëdha për përfshirjen e gruas në procesin e vendimmarrjes, dhe prezencën e grave në pozitat kyçe, udhëheqëse brenda institucioneve të sigurisë”, tha Emini.

Edhe nënkryetari i Sindikatës se Policisë se Kosovës, Shaban Tasholli, thotë se Policia e Kosovës konsiderohet të jetë “kampione” në mesin e institucioneve tjera të sigurisë, me përfaqësimin më të lartë të femrave në strukturën e saj.

“Si sindikatë jemi të kënaqur, në krahasim më rajonin ne jemi primë më gjininë femërore. Edhe në pozita vendimmarrëse ka shumë gra”, shprehet ai.

Përderisa Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas Donika Eminit, kanë një nivel të kënaqshëm të përfaqësimit të gruas, sfide e madhe mbeten Komisionet Parlamentare për Siguri në kuadër të Kuvendit të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“E kemi Komisionin për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të Forcës se Sigurisë se Kosovës, ku është vetëm një femër. Dhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë që për shkak të natyrës hermetike të këtij institucioni nuk dihet se sa gra punojnë dhe çfarë pozitash mbajnë ato brenda kësaj agjencie”, tha Emini.

Sidoqoftë, përfaqësuese të organizatave joqeveritare konsiderojnë se mungesa e vullnetit politik dhe mungesa e guximit për të sfiduar qasjet ekzistuese, si dhe për të promovuar parimet e barazisë gjinore, ka vazhduar të jetë pengesë për pjesëmarrjen e femrave në pozita vendimmarrëse edhe në sektorin e sigurisë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG