Bashkimi Evropian duket se ka dështuar të arrijë marrëveshje për planin për shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve, që kanë arritur në Itali, Greqi dhe Hungari.
Ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, tha mbrëmë vonë në Bruksel, pas takimit të minsitrave të brendshëm të Bashkimit Evropian, se “është e parakohshme që të merret vendim sot”, duke theksuar se “megjithqë jemi në rrethana urgjente, duhet t’i ndjekim procedurat”.
Vendet anëtare të BE-së, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria, janë në mesin e vendeve që i kanë kundërshtuar propozimet për shpërndarjen e migrantëve.
Nga ana tjetër, policia në Hungari tha se gjatë ditës së djeshme është zënë numër rekord prej 9,380 imigrantëve, duke e kaluar kufirin nga Serbia.
Prej sot, në Hungari hyn në fuqi një legjislacion i ri, sipas të cilit ata që në mënyrë ilegale e kalojnë kufirin në këtë vend, mund të dënohen me burg ose të dëbohen.