Ndërlidhjet

BE dështoi të arrijë marrëveshje për migrantët


Mbyllja e kufirit në Hungari...
Mbyllja e kufirit në Hungari...

Bashkimi Evropian ka dështuar të arrijë marrëveshje mbi planin për shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve, që kanë arritur në Itali, Greqi dhe Hungari, vende anëtare të BE-së.

Ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, tha mbrëmë vonë në Bruksel, pas takimit të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, se “është e parakohshme që të merret vendim sot”, duke theksuar se “megjithëqë jemi në rrethana urgjente, duhet t’i ndjekim procedurat”.

Vendet anëtare të BE-së, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria, janë në mesin e vendeve që i kanë kundërshtuar propozimet për shpërndarjen e migrantëve.

Nga ana tjetër, policia në Hungari tha se gjatë ditës së djeshme është zënë numër rekord prej 9,380 migrantësh, duke e kaluar kufirin nga Serbia.

Prej sot, në Hungari hyn në fuqi një legjislacion i ri, sipas të cilit ata që në mënyrë ilegale e kalojnë kufirin në këtë vend, mund të dënohen me burg ose të dëbohen.

Komisionari për migracion i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, tha se ka pasur “debate tejet të ashpra” në mbledhjen e ministrave të Brendshëm në Bruksel.

“Komisioni është i përkushtuar për të ndërmarrë aksion, por na duhet një mbledhje tjetër e këshillit gjatë ditëve të ardhshme”, ka theksuar ai.

Kuotat e obligueshme mund të miratohen me shumicën e kualifikuar, pra nuk është i nevojshëm unanimiteti, sipas rregullave të ndërlikuara të BE-së, por kjo do të ishte shenjë e jounitetit, të cilin BE-ja është përpjekur ta evitoj.

Ministri i brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, tha se ka pasur “ashpërsi” lidhur me faktin se vota unanime nuk ishte e mundshme në këtë takim emergjent.

“Disa vende qartazi nuk e ndjejnë përgjegjësinë e solidaritetit para këtyre sfidave të mëdha dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha Maiziere, duke parashikuar se “në të kundërtën, ne do të kemi problem të madh në Evropë”.

Zëvendëspresidenti i Bashkimit Evropian, Frans Timmermans, tha se “numrat që pranohen sot janë shumë të vegjël” dhe ka tërhequr vërejtjen për rrezikun në rritje për refugjatët, derisa po afrohet dimri.

Më herët, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian e kanë miratuar një masë të përkohshme për programin e propozuar në muajin maj nga Këshilli Evropian, për shpërndarjen e 40 mijë refugjatëve, që kanë arritur në Greqi dhe Itali, gjatë dy viteve të ardhshme, që kanë “nevojë të qartë për mbrojtje ndërkombëtare”.

Sipas këtij programi, vendet e reja mikpritëse do të marrin nga 6 mijë euro për secilin refugjat që e pranojnë.

Masat e tjera ende do të finalizohen, pasi takimi në Bruksel ka vendosur për krijimin e listës së BE-së për vendet e sigurta, shtetasit e të cilave do të kishin pak gjasë të kualifikohen për azil.

Ministrat janë pajtuar që në këtë listë duhet të përfshihen vendet e Ballkanit, por hyrja e Turqisë është bërë kundërthënëse për shkak të rritjes aktuale të dhunës kundër pakicës kurde në Turqi.

Para se të krijohej kjo rrugë pa krye lidhur me kuotat obliguese, presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se do ta caktojë një mbledhje urgjente me liderët e BE-së, nëse ministrat e brendshëm të vendeve anëtare nuk mund të pajtohen për gjetjen e zgjidhjes.

Franca dhe Gjermania, që janë destinim kryesor i shumë migrantëve, i mbështesin kuotat.

Plani për shpërndarjen emergjente për gjithsej 160 mijë refugjatë, që ishte pallur nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, më 9 shtator, ka për synim gjetjen e zgjidhjes për fluksin më të madh të migrantëve dhe azilkërkuesve në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Pasi ministrat e brendshëm të BE-së, kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për shpërndarjen e refugjatëve, Hungaria ka shpallur se do t’i refuzojë azilkërkuesit që hyjnë nga Serbia, e të cilët paraprakisht nuk kanë kërkuar azil në fqinjin e vet jugor.

“Meqë kjo është rregull juridike ndërkombëtare, rrjedhimisht, duhet të veprohet në këtë mënyrë”, tha zëdhënësi i qeverisë së Hungarisë, Zoltan Kovacs.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG